Duke dhënë lajmin e madh dhe të shumëpritur nga zyra e tij në Pallatin “Dolmabahçe” të Stambollit, Erdogani bëri me dije se Turqia ka zbuluar 320 miliardë m3 gaz natyror në pusin “Tuna 1”, në Detin e Zi.
“Energjia, përveçse është një element themelor i zhvillimit, po ashtu ka një rëndësi të madhe në ndërtimin e pavarësisë kombëtare”, theksoi ai duke shtuar se të njëjtin sihariq shpresojnë ta japin edhe në Mesdheun Lindor.
Sipas tij, pas kaq e kaq lojërave në Mesdheun Lindor qëndron ndarja e burimeve energjetike.
“Ne jemi të vendosur që ta zgjidhim rrënjësisht çështjen energjetike të vendit tonë. S’do të ndalemi dhe as të çlodhemi deri sa të bëhemi qartësisht eksportues të energjisë. Ne do të vazhdojmë të ecim drejt objektivave tona pa synuar të drejtën e askujt, por edhe pa i lejuar askujt që të na rrëmbejë të drejtën tonë”, potencoi kreu i shtetit turk.
Erdogani u ndal gjithashtu mbi aktivitetet e njëanshme të Greqisë për kërkimin e hidrokarbureve në Mesdheun Lindor.
“BE-ja duhet ta shohë që po tradhton vlerat e saj edhe një tjetër herë për shkak të standardit të dyfishtë që po demonstron duke llastuar Greqinë dhe ndërsyer atë kundër nesh”, paralajmëroi ai.
Lideri turk njoftoi edhe se vendi do të përshpejtojë kërkimet për hidrokarbure në Mesdheun Lindor duke vendosur aty një anije tjetër shpimi, pavarësisht tensioneve me Greqinë.
“Ne do të përshpejtojmë operacionet në Mesdhe me vendosjen në fund të vitit të anijes së shpimit «Kanuni», e cila aktualisht është nën mirëmbajtje”, theksoi Erdogani menjëherë pasi njoftoi zbulimin e një fushe të madhe gazmbajtëse në Detin e Zi.