Epidemitë e sëmundjeve vdekjeprurëse, OBSH: Një “normale” e re

Bota po hyn në një fazë të re, ku shpërthimet e mëdha të sëmundjeve vdekjeprurëse si “Ebola” janë “një normale e re”, paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Shpërthimet e mëparshme të “Ebolës” kanë prekur një numër relativisht të vogël njerëzish. Por, Republika Demokratike e Kongos po përballet me shpërthimin e dytë të madh, vetëm 3 vite pas shpërthimit më të madh në botë.

OBSH-ja tha se vendet dhe mekanizmat e tjerë duhet të përgatiten për shpërthime të epidemive të reja vdekjeprurëse.

“Ebola” është një virus që fillimisht shkakton ethe, dobësi, dhimbje të muskujve dhe dhimbje të fytit. Pacientët e prekur mund të vdesin nga dehidratimi dhe dështimi i disa organeve, raporton Top Channel.

Gjatë disa muajve të fundit ka pasur 2.025 raste të “Ebolës” dhe 1.357 vdekje nga virusi në Republikën Demokratike të Kongos. Shpërthimi më i madh që ka ndodhur në Afrikën Perëndimore në vitet 2014-2016 preku 28.616 njerëz, kryesisht në Guinea, Liberi dhe Siera Leone. Atëherë u raportuan 11.310 vdekje.