Qeveria shqiptare është e angazhuar për të dhënë një zgjidhje përfundimtare edhe për industrinë e basteve, ku shumë shpejt, do të jetë gati projekti i ri ligjor i kufizimit të fortë të tyre.
Kështu deklaroi sot, Endri Fuga, Drejtor i Komunikimit në Kryeministri, duke reaguar mbi deklaratat e PD-së për favorizim të kompanive të basteve dhe lojërave të fatit nga ana e vëllait të Kryeministrit dhe atij të Ministrit të Brendshëm.
“Partia Demokratike vazhdon avazin e vjetër dhe të dëshpëruar të baltosjes së përditshme. Prej dy ditësh akuzon në hava, pa dhe as edhe një fakt të vetëm, vëllain e Kryeministrit dhe atë të Ministrit të Brendshëm, për favorizim të kompanive të basteve dhe lojërave të fatit”, u shpreh Fuga.
Ai theksoi se “asnjë familjar i Kryeministrit apo Ministrit të Brendshëm nuk ka asnjë lidhje me kompanitë e basteve apo atyre që bëjnë monitorimin e basteve online, siç shpif Partia Demokratike”.
Në datë 31 dhjetor të këtij viti, duke mbajtur zotimin e dhënë dhe të sanksionuar në ligj si afati i fundit për kompanitë, sipas Fugës, “nuk do të ketë më asnjë kompani lojërash fati brenda territorit të qyteteve”.
“Nëse gjatë qeverisjes së PD-së ekzistonin 40 kompani të tilla dhe arkëtoheshin nga shteti 37 milionë dollarë, sot numri i kompanive është përgjysmuar dhe të ardhurat në buxhet nga aktiviteti i tyre janë pothuajse dyfishuar”, theksoi ai.
Po ashtu, Fuga theksoi se “kompanitë për të cilat opozita baltos qeverinë kanë rinovuar licencat e tyre ose kanë marrë licenca të reja, gjatë viteve kur në qeveri ishte Sali Berisha dhe Lulzim Basha”.
“Nga PD nuk presim dot asgjë tjetër. Por kemi të drejtë të presim që më në fund mediet që i pasqyrojnë këto shpifje apo përgënjeshtrime, të bëjnë mundësisht punën e tyre dhe të verifikojnë kush gënjen në këtë mes. Ndërkohë Kryeministri dhe qeveria do të vijojnë të punojnë me të gjithë vëmendjen për njerëzit, pa humbur kohë dhe energji në rrugën e vjetër të baltës ku opozita zvarritet e përpiqet papushim të zvarrisë vetë Shqipërinë”, tha Fuga./ATSH