Emmanuel Macron: Ideologjitë e reja manipulojnë me religjionet

Liderët pas pritjes në Pallatin Elysee kaluan në hapësirën ku mbahej programi zyrtar për shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore deklaroi se ideologjitë e reja këmbëngulin të manipulojnë me religjionet, raporton Anadolu Agency (AA).

Kremtimi i 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore u ndoq nga më shumë se 70 zyrtarë të lartë, duke përfshirë presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe të tjerë. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Nikoqir është Franca dhe presidenti i vendit, Emmanuel Macron.

Liderët pas pritjes në Pallatin Elysee kaluan në hapësirën ku mbahej programi zyrtar. Macron me këtë rast rikujtoi se gjatë luftës në Evropë janë vrarë rreth 10 milionë njerëz, ndërsa gjashtë milionë janë plagosur.

Ai shtoi se Franca mbështet të drejtat dhe liritë. Megjithatë, ai shprehu shqetësimin se “djajtë e vjetër” përsëri mund të shfaqen. “Ideologjitë e reja manipulojnë me religjionet. Historia kërcënon të vazhdojë rrjedhën tragjike”, paralajmëroi Macron.

Pas fjalimit të tij, u interpretua vepra e artistit francez Joseph Maurice Ravel i cili ndërroi jetë në vitin 1937.

Pjesëtarët e grupit aktivistëve “Femen” penguan rrugën e autokolonës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili erdhi ndaras nga zyrtarët tjerë.

Masat e sigurisë janë ngritur në Paris për të shënuar 100 vjetorin dhe Forumin e Paqes që filloi pasdite. Trafiku në kryeqytetin francez u ndalua në disa rrugë dhe kishte ndryshime në drejtimin e metrosë.