“Elementi kryesor që e përbën identitetin është feja dhe besimi”

Erbaş tha se Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Kosovës do të mbajnë të gjallë vlerat dhe kulturën e Islamit dhe do të mbrojnë Islamin nga perceptimet e gabuara

Kryetari i Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet), Ali Erbaş sot në Prishtinë deklaroi se gjëja që bën që një popull të mbetet i përhershëm në skenën historike është identiteti i tij. Ai tha se “Identitetin në fjalë e përbëjnë elementet si gjuha, historia, kultura, gjeografia e atdheu. Ndërkaq elementi kryesor që e përbën identitetin është feja dhe besimi”, raporton Anadolu Agency (AA).

Erbaş sot mori pjesë në programin e Javës së Mevludit Nebi Jashtë Shtetit, të organizuar nga Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet) dhe Bashkësia Islame e Kosovës.

Në kuadër të programit u lexua tilavet nga Kur’ani Kerimi, u kënduan ilahi, u recituan vjersha dhe u lexua mevlud.

Erbaş në fjalimin e tij gjatë programit iu drejtua pjesëmarrësve ku shprehu përshëndetjet e tij nga Turqia e Anadolli, Stambolli i Fatihut, Bursa e Sulltan Muradit dhe Konya e Hz. Mevlanasë.

Duke shprehur se mevludi i cili nënkupton nderimin e botës, pra ardhjen në jetë të profetit Muhammed a.s. ka një vend shumë të fuqishëm dhe të rrënjosur në botën e mendjes dhe të zemrës si një mall dhe bisedë, Erbaş tha se rikujtimi i Mevlud-i Nebit në të njëjtën kohë është kuptimi i rrugës dhe mënyrës së diskutimit të botës së kapluar nga luftërat, varfëria dhe mungesa e shpresës përsëri me drejtësi, mëshirë dhe bisedë.

Erbaş njoftoi se si temë kryesore e Javës Mevlid-i Nebi për vitin 2018 kanë zgjedhur temën “Profeti a.s. dhe Rinia”, me ç’rast theksoi se rinia është një bekim që i është dhuruar njeriut.

Duke rikujtuar se shumica e atyre që në kohë të vështira në Mekë i janë përgjigjur ftesës së Profetit a.s. dhe kanë zgjedhur Islamin janë të rinjtë, Erbaş tha se:

“I dërguari i Zotit revolucionin më të madh të moralit dhe të drejtësisë e ka realizuar me një grup të të rinjve që i besonin atij. Kështu që është një fakt i njohur se të rinjtë janë më të afërt në pranimin e Islamit dhe dhënien e zemrës në luftën e së drejtës dhe të së vërtetës”, tha ai.

Duke vënë në dukje se sot mekanizmat të cilat kanë ndikim në emocionet e të rinjve dhe rrethojnë jetën në nivel global kanë një qëndrim që bazohen në abuzim dhe interes, Erbaş tha se “Kështu, në ditët tona kur kapitalizmi ka rrethuar jetën, konsumimi dhe shfaqja po i rrethon më së shumti të rinjtë. Organizatat terroriste të cilat po prodhohen me projekte episodike dhe anarkiste, kurthet e tyre po i vendosin në drejtim të emocioneve të të rinjve. Në shumë vende të botës të rinjtë po zgjidhen viktima të lira dhe të pafajshme të llogarive të thella dhe të pasioneve për interes”.

Sipas tij, rinia është një pasuri dhe mundësi e madhe që do t’i çojë popujt në të ardhmen. Erbaş tha se “Gjëja që bën që një popull të mbetet i përhershëm në skenën historike është identiteti i tij. Identitetin në fjalë e përbëjnë elementet si gjuha, historia, kultura, gjeografia e atdheu. Ndërkaq elementi kryesor që e përbën identitetin është feja dhe besimi. Historia na ka treguar se popujt kur po i humbin vlerat në fjalë, së fundi po e humbin edhe identitetin. Për këtë arsye elementi kryesor që duhet të fokusohet në Republikën e Kosovës është realizimi i çdo lloj të përpjekjes në mënyrë që gjeneratat e reja të përfitojnë identitetin ideal musliman”.

Ai më tej theksoi se Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë, Republika e Turqisë dhe populli turk do të vazhdojnë gjithmonë që të jetë pranë vëllezërve muslimanë në Kosovë. Erbaş më tej theksoi se Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Kosovës do të mbajnë të gjallë vlerat dhe kulturën e Islamit dhe do të mbrojnë Islamin nga perceptimet e gabuara.

Ndërkaq edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava njoftoi se me rastin e Javës Mevlid-i Nebi do të organizojnë aktivitete të ndryshme.

Njohja, dashuria dhe respekti për Profetin Muhammed a.s dhe misionin e tij përveç se janë të urdhëruara, sipas tij, ato e fisnikërojnë, edukojnë dhe begatojnë individin dhe shoqërinë.

“Në kohën që po jetojmë, mbushur me konflikte, mosdurim e urrejtje në njërën anë, e në anën tjetër rinia jonë përballen me shumë dukuri negative, mësimet e Profetit a.s. janë rrugëdalje më e mirë për t’i tejkaluar këto sfida që na mundojnë sot”, tha ai.

Duke shprehur se ky muaj është muaji i përkujtimit të Profetit dhe të mësimeve të tij, Tërnava theksoi nevojën për angazhim në përforcimin e paqes, për ndaljen luftërave dhe konflikteve. Sipas tij, gjithashtu gjatë këtij muajit të mevludit duhet të përkushtojnë kujdes ndaj rinisë.

“Një njeri nëse kërkon model për edukim nuk ka ku ta gjej ku tjetër pos te Profeti a.s. Nese kërkon model për besnikëri e gjen te Profeti a.s. Nëse kërkon model për atdhedashuri e gjen te Profeti a.s. Nëse kërkon modelin e urtësisë e modestisë do ta gjej te Profeti a.s. te ai do të gjej për çdo gjë pozitive më të mirin yrnek”, tha ai.