Ekzekutimi i Shkëlzen Kastratit, Policia e Tiranës shoqëron disa persona (Kontrolle në Fier dhe Vlorë)

Policia e Tiranës ka shoqëruar disa persona si të dyshuar për ekzekutimin e Shkëlzen Kastratit, ndodhur në datën 1 Shkurt në Fier, ndërsa kontrolle janë kryer në Fier dhe Vlorë, përveç kryeqytetit.

Shoqërimi i personave që dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen ka ndodhur pas disa kontrolleve që janë bërë në banesa në Tiranë gjatë natës. Ende nuk bëhet me dije identiteti i personave të shoqëruar nga Policia, dhe as roli që ata kanë pasur në atentatin ndaj Kastratit.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për Faxweb.al, se derimë tani dyshimet janë se personat që kanë qëlluar mbi Kastratin të jenë vrasës me pagesë, të cilët kanë vepruar për llogari të personave të tjerë.

Babai i katër fëmijëve mbeti i vrarë në një atentat mafioz në hyrje të qytetit të Fierit në vendin e njohur si “Rotondua e Sheqit” në paraditen e datës 1 Shkurt.

Ngjarja ndodhi në orën 10:30 të paradites, ndërsa trupi i pajetë i Shkëlzen Kastratit qëndroi brenda automjetit tip “Mercedes Benc” për më tepër se një orë, ku u konstatua se ishte qëlluar me 10 plumba, një prej të cilëve në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Ekzekutimi i Shkëlzen Kastratit, dyshohet, së është vazhdimi i vrasjes së ndodhur në vitin 2016 në Fier, ku shënjestër ishte Klement Kastrati, vëllai i viktimës. Shënjestra bashkë me një tjetër person mbetën të plagosur, ndërsa u vra një shtetas nga Patosi i identifikuar si Granit Kasaj.

Por konfliktet janë më të hershme. Ato kanë nisur që rreth vitit 2000, ku më pas janë vrarë 3 të afërm të viktimës së kësaj të hëne, ndërkohë që për zbardhjen e kësaj ngjarje janë duke u marrë dhe hetues nga Tirana.

Klement Kastrati, vëllai i viktimës që u ekzekutua të hënën, ka qenë gjithashtu i arrestuar nga policia për gjobvënie dhe trafik droge në Belgjikë dhe në Hollandë, ndërsa i ka pasur përplasjet të vazhdueshme me një tjetër personazh të njohur të botës së krimit në Fier, Altin Binjakun.