Eksportet rriten 18%, në 6 muaj, Shqipëria shiti 158 mld lekë mallra

Eksportet shqiptare vazhdojnë të rriten me ritme dyshifrore duke tejkaluar efektet negative të zhvlerësimit të euros ndaj lekut.

Eksportet shqiptare vazhdojnë të rriten me ritme dyshifrore duke tejkaluar efektet negative të zhvlerësimit të euros ndaj lekut.

Instituti i statistikave raportoi se për gjashtëmujorin e parë të vitit kompanitë shqiptare eksportuan 158 miliardë lekë mallra në tregjet e huaja me një rritje prej 18.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti të kaluar.

Të dhënat e detajuara të INSTAT tregojnë se ecuria pozitive e eksporteve është udhëhequr nga grupi i produkteve minerare, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike. Eksportet e këtij grupi janë rritur me 8 miliardë lekë krahasuar me vjet, të ndihmuara kryesisht nga rritja e prodhimit të energjisë. Por rritje kanë shënuar edhe eksportet e industrisë së fasonit, materialet e ndërtimit si dhe eksportet e artikujve bujqësorë.

Kompanitë shqiptare që punojnë për eksport janë përballuar këtë vit me një kurs të pafavorshëm këmbimi, pasi shumica e tyre punojnë për tregjet e Bashkimit Europian duke shitur në monedhën euro. Për gjysmën e parë të vitit euro ka rënë me gati 7 për qind ndaj lekut duke ulur në të njëjtën masë vlerën në lekë të eksporteve, raporton Top Channel.

Por ky efekt negativ i kursit të këmbimit, jo vetëm që është kompensuar plotësisht, por është tejkaluar për shkak se eksportuesit kanë rritur vëllimin e shitjeve në tregjet e Bashkimit Europian duke përfituar edhe nga situata e mirë që po kalon ekonomia europiane.