Eksportet, kryesojnë materialet e ndërtimit dhe metalet

Instituti i Statistikave ka publikuar sot të dhënat e rritjes së tregtisë së jashtme, ku rritja vjetore e eksporteve shënon 7.9%, ndërsa gjatë këtij shtatëmujori ato janë rritur me 16.8%, krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat e INSTAT flasin për rritje vjetore të eksporteve me 7.9%: “Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve: Rritja vjetore e eksporteve prej 7.9%, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me 4.2%, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 2.8%, “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me 1.1%“. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Ushqime, pije, duhan” me 0.8%”, deklaron INSTAT.

Eksportet, gjatë këtij shtatëmujori janë rritur me 16,8 %, krahasuar me një vit më parë.

“Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 5.4%, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 4.5%, “Tekstile dhe këpucë” me 3.5%. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me 0.02%”, deklaron INSTAT, raporton ATSH.

Po ashtu, sipas INSTAT kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve: Rritja vjetore e importeve prej 5.4%, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 1.7%, “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me 1.5 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 1.2%. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar negativisht grupi: “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me 0.5%.