Ekspertët izraelitë: Tërheqja amerikane nga Siria “goditje” ndaj Tel Avivit

Transmetuesi televiziv “Channel 10” përshkroi vendimin e Trumpit si një “goditje të dhimbshme” për Izraelin

Sipas analistëve izraelitë, vendimi i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për të tërhequr trupat nga Siria ka ardhur si një “goditje e madhe” ndaj Tel Avivit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Megjithëse Trump kishte premtuar më herët në muajin prill për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, njoftimi megjithatë duket se ka befasuar disa zyrtarë të lartë të administratës, përfshirë Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, John Bolton, një neo-konservator famëkeq, i cili më herët kishte thënë se SHBA-të nuk do të largohen nga Siria derisa Irani të jetë gati të bënte të njëjtën gjë.

Analistët e cituar në median izraelite, ndërkohë kanë thënë se masa erdhi si një goditje ndaj Tel Avivit.

Të mërkurën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Trump dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, e kishin njoftuar atë të martën për tërheqjen e tupave nga Siria.

“Tërheqja nga Siria është një vendim i SHBA-ve, natyrisht, por ne do të shqyrtojmë pasojat e kësaj tërheqjeje dhe ndikimin e saj në sigurinë e Izraelit”, tha Netanyahu më vonë në një deklaratë.

Përfaqësuesi i përhershëm i Izraelit në Kombet e Bashkuara (OKB), Danny Danon, nga ana e tij, tha se “është një vendim i SHBA-ve. Ne do të respektojmë vendimin e marrë nga administrata”.

Në “The Times” të Izraelit, Danon citohej të ketë thënë se “Ne kemi shqetësimet tona për Sirinë, për kërcënimin e trupave iraniane në Siri dhe ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur popullin tonë, pavarësisht nëse keni trupa amerikane, trupa ruse ose të ndonjë kombi tjetër”.

Transmetuesi televiziv “Channel 10” përshkroi vendimin e Trumpit si një “goditje të dhimbshme” për Izraelin.

Presidenti amerikan, Trump tha “Channel 10”, pretendoi fitore ndaj DEASH-it, por nga një perspektivë izraelite “fituesi i vetëm i këtij vendimi është Irani, pasi Tel Avivi humbi kartën (praninë ushtarake amerikane), atë po përdorte kundër Rusisë”.

E përditshmja në gjuhën hebraike “Yedioth Ahronoth, në ndërkohë raportoi me titullin “Zemërimi mbi tërheqjen e Trumpit: Një fitore për Iranin dhe një humbje për Izraelin”.

Zemërimi mbi vendimin e SHBA-ve nuk ishte ekskluziv për Izraelin, tha gazeta, duke shtuar se ajo po ashtu ka irrituar mbështetësit e Izraelit në administratën amerikane, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes, James Mattis, i cili sot dha dorëheqje për të protestuar ndaj lëvizjes.

“Israel Today”, e cila njihet si e afërt me Netanyahu-n, përshkroi vendimin e tërheqjes së Trumpit si një “gabim katastrofal”.

Eran Lerman, nënkryetar i Institutit të Kudsit për Studime Strategjike dhe një ish-komandt ushtarak izraelit, citohet të ketë thënë se “vendimi jo vetëm që do të jetë katastrofik për Izraelin, por do të ndikojë edhe në aleatët e Trumpit, të cilët do të mbeten vetëm në fytyrën e regjimit të Sirisë, Iranit dhe Rusisë”.

Lëvizja, shtoi ai, “do të bëjë që të largohet kushdo që mendon për një koalicion me SHBA-të në të ardhmen”.

E përditshmja izralite “Haaretz”, nga ana e saj, paralajmëroi se vendimi do të çonte në ndikim më të madh rus dhe iranian në Siri dhe se padyshim do të kishte një “ndikim strategjik” në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.

“Lista e shteteve të shqetësuara për këtë vendim është e gjatë, duke përfshirë Izraelin, Kurdët, Jordaninë dhe Arabinë Saudite”, shkruan gazeta.

Sipas raporteve të fundit të medias, i gjithë personeli i Departamentit të SHBA-ve do të lëshojë Sirinë brenda 24 orëve të ardhshme, ndërsa forcat tokësore të SHBA-ve do të largohen brenda 60 deri në 100 ditë.

Mbetet e paqartë nëse trupat e SHBA-ve në Siri, të vlerësuar në rreth 2.000 ushtarë, të gjithë do të largohen menjëherë ose do të tërhiqen gradualisht.

Shtëpia e Bardhë po ashtu deklaroi se fitoret e fundit ushtarake kundër DEASH-it “nuk sinjalizojnë fundin e Koalicionit Global kundër DEASH-it ose misionit të tij”.

Të mërkurën, Trump duke cituar disfatën e grupit terrorist njoftoi se trupat e SHBA-ve do të tërhiqen nga vendi i shkatërruar nga lufta.

“Është koha që trupat tona të kthehen në shtëpi”, tha Trump në një video-mesazh të postuar në llogarinë e tij në Twitter.

“Djemtë tanë, gratë tona të reja, burrat tanë, të gjithë ata po kthehen në shtëpi dhe ata po kthehen tani”, shkroi Trump.

SHBA-të nisën fushatën e tyre ajrore në Siri në vitin 2014, një vit më vonë duke vendosur edhe forca tokësore me synimin për të ndihmuar “partnerët lokalë” të saj në luftën kundër DEASH-it.