Dy ditë më parë, një mbrëmje e zakontë u kthye në një transmetim live të pazakontë.
Jemi në Turqi. Vijojnë akoma, e natyrshëm do vijojnë për një kohë të gjatë, diskutimet për atë që është quajtur “Tragjedia e shekullit”
Në këtë prizëm, disa media të fuqishme turke ndërmarrin një nismë nëpërmjet një platforme live “Turqia një zemër” për të mbledhur donacione nga të gjitha shtresat e popullsisë në shenjë mbështetjeje dhe përkrahje për të lënduarit e tërmetit të fuqishëm të 6 Shkurtit të këtij viti.
“E zeza” të binte në sy menjëherë në këtë transmetim live, pasi si moderatorët ashtu edhe të ftuarit për “operatorë” ishin të gjithë fytyrat më të njohura të ekranit të veshur me të zeza, simbolikë e kësaj dite.
Lidhjet telefonike direkte s’kishin “llafollogji” të shumta… të njëjtat “ngushëllime” dhe menjëherë shumat “solidarizuese”.
Por, ajo që të binte më së tepërmi në sy, ishin ato telefonata, të atyre vogëlushëve të ndjeshëm që dhuronin “kursimet” e tyre me vlerë për bashkëmoshatarët e lënduar në tërmet.
Pas një maratone disa orëshe erdhi rezultati: 5 miliard euro – tregues i Shpirtit Popullor…