Edi Rama: Turizmi po rritet ndjeshëm, 6 milionë turistë deri në fund të vitit

“Turizmi në Shqipëri po rritet ndjeshëm, sepse Shqipëria nuk është më ajo që ishte para pesë vjetësh dhe po ashtu turistët e huaj vijnë dhe do të vijnë më shumë vitin tjetër, e më pas, sepse Shqipëria e sotme nuk është ndryshe vetëm në 3 D e projekteve të reja që ekspozohen në këtë faqe”, – theksoi sot Kryeministri Edi Rama në rubrikën e tij më të re në “Facebook”, “Përgjigja ime”.

“Turizmi në Shqipëri po rritet ndjeshëm, sepse Shqipëria nuk është më ajo që ishte para pesë vjetësh dhe po ashtu turistët e huaj vijnë dhe do të vijnë më shumë vitin tjetër, e më pas, sepse Shqipëria e sotme nuk është ndryshe vetëm në 3 D e projekteve të reja që ekspozohen në këtë faqe”, – theksoi sot Kryeministri Edi Rama në rubrikën e tij më të re në “Facebook”, “Përgjigja ime”.

Kryeministri Rama kishte zgjedhur t’i përgjigjej komentuesit Leonard Bakillari, i cili kishte komentuar në postimin e publikuar nga Kryeministri për kolazhin e artikujve të shumtë në mediet më prestigjioze ndërkombëtare për turizmin në Shqipëri, ku e kritikonte se nuk ka bërë asgjë konkrete këto 5 vjet.

“I dashur Leonard! Unë nuk e di ku është problemi yt kur të them “Mirëmëngjes!” me një përmbledhje artikujsh nga mediat e huaja për bukuritë natyrore të Shqipërisë turistike. Po nuk të vë faj, sepse jetojmë në një mjedis kaq të ndotur me negativitet, brutalitet, gënjeshtra, shpifje, dyshime saqë dhe thjesht një “Mirëmëngjes!” me një kartolinë të bukur, mund të bëhet shkak për një koment negativ pa pikën e lidhjes”, – shprehet Rama.

“Natyrisht, – vijon Kryeministri, – Shqipëria i kishte këto bukuri natyrore para Rilindjes, siç thua ti me ironi por, a më thua dot, përse nuk kishte më parë edhe kaq shumë artikuj për bukuritë e Shqipërisë turistike?”

Kreu i qeverisë thekson se “unë nuk besoj se ti hyn tek ata të padëgjueshmit fare që thonë se tërë këto shkrime, kronika pozitive në mediat e huaja për turizmin tonë i paguan qeveria me lekët e drogës, se jo për gjë, se pastaj duhet të thoshe se gati 6 milionë turistë që presim deri në fund të këtij viti janë droguar nga qeveria për të ardhur pa dashje në Shqipëri dhe pastaj për të lëvduar Shqipërinë, pa e ditur fare se çfarë flasin”.

“Kështu, që jam realisht kurioz ta di përgjigjen tënde, unë e kam timen”, – tha Rama.
“Shqipëria e sotme është çdo vit e më ndryshe nga 5 vjet më parë, që nga rruga hyrëse në Tiranë, deri tek rruga hyrëse në Vlorë, nga rruga e plazhit të Durrësit, tek rruga drejt plazhit të Velipojës, nga Lungomare e Vlorës, tek shëtitoret bregdetare të Himarës, Dhërmiut, Qeparoit, Jalës. Shqipëria e sotme është krejt ndryshe kur hyn në Berat, Gjirokastër, në Korçë e me radhë edhe kur shkon më thellë në Malësi të Madhe, Pukë apo Konispol e Finiq”, – nënvizoi Kryeministri.

“Sot, – vijoi ai, – ka pa diskutim më shumë pastërti e shumë më shumë siguri se para pesë vjetësh dhe po, është po kaq e vërtetë, që nuk ia vlen të diskutojmë që jemi ku e ku me pesë vjet më parë”.

Kryeministri Rama shprehet se “por meqë më ke shkruar se këto pesë vjet nuk është bërë asnjë punë dhe nuk je i vetmi, thashë ia vlen të të përmend vetëm disa nga qindra e qindra punë të mira që janë bërë dhe jo për të marrë merita, se nuk më intereson kjo, as për reklamë jo e jo. Të jesh i sigurt që unë nuk ngrihem në mëngjes me kënaqësinë e gjësë që bëra dje, por me ankthin e sa më shumë gjërave që duhen bërë sot. Do të doja që as ti dhe asnjë këtu, pavarësisht bindjeve dhe krahëve, jemi të gjithë shqiptarë në fund, të mos kujtojnë se unë fle rehat meqë fitoj çdo krahasim me kundërshtarët. Aspak! Unë, miku im, e di mirë dhe nuk më zë gjumi nga plehrat që mbeten ende një problem i madh, nga nevojat ende ulëritëse në disa zona me rëndësi të vijës tonë bregdetare, për ujësjellësa dhe kanalizime, nga standardet ende mizerabël të disa segmenteve rrugore në rrugët e lëna rrugëve dhe sidomos të shumë rrugëve të brendshme nga Velipoja, deri në Ksamil, pa folur për nyjen e Fierit që më është bërë si nyje në fyt çdo ditë të sezonit turistik”, raporton ATSH.

“Rri i qetë nga kjo anë i dashur Nardi, sepse opozitën që më lë pa gjumë unë e kam brenda vetes dhe 3 D më pëlqejnë si tiparet e Shqipërisë që duam të kemi nesër, jo si pasqyra që unë të kënaqem nesër”, – përfundoi Rama.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2183312148613627/