Në mbledhjen e pestë të përbashkët të Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës që u mbajt në Pejë, Tirana dhe Prishtina sfiduan Europën dhe Serbinë në atë që e thanë hapur se konsiderojnë sjellje sfiduese, bllokuese dhe me dy fytyra.
“Kosova pret që e drejta e saj të respektohet nga institucionet vendimmarrëse të BE-së. Por, Kosova nuk ka mbetur duke pritur nga të tjerët, por po përmbyll procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha Haradinaj.
Më të rënda i kishte fjalët kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili mbrojti homologun kosovar përsa i përket politikës doganore të vendosur me Serbinë si përgjigje ndaj Beogradit: “Është një vendim iracional në kushte normale, por krejt normal në kushte iracionaliteti si ato që përvijon qasja e dyfytyrtë e Serbisë. Kush e sheh tarifën 100% si vendim ekonomik, gabon. Tarifa 100% është reagim politik”.
Pakënaqësinë me sjelljen e Europës, të cilën e quajti zhgënjyese, Rama e shprehu edhe në anglisht, duke lënë mënjanë fjalorin etik: “Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale të Kosovës po më tregonte mbrëmë se si në Beograd, deri në dy të natës, me anë të dërguarve të Europës, i kërkonin të hiqte fjalën REPUBLIKA E KOSOVËS nga fjalimi që do të mbante në konferencën e përbashkët. What the fuck!”
Kryeministri i Shqipërisë akuzoi Bashkimin Europian se po sillet me dy fytyra në raport me integrimin e shqiptarëve, ndërkohë që tjetër qasje tha se Brukseli ka me serbët: “Bashkimi Evropian t’i japë fund sjelljes me dy fytyra. Shqipërisë i premton hapje negociatash dhe nuk hapen, Prishtinës i premton liberalizim vizash që nuk liberalizohen, ndërkohë që Serbia vazhdon me kapitujt”.
“Rruga e së ardhmes nuk mund të ndërtohet me thika pas shpine ndaj shqiptarëve dhe me reaksione negative sapo Kosova duhet të marr një certifikatë hyrje në institucionet ndërkombëtare. Nuk na detyron kush të gëlltisim njëri-pas tjetrit akte që i bien ndesh filozofisë sonë të bashkëpunimit. Ne jemi të vendosur për bashkëpunim strategjik me Serbinë por Serbia s’mund të ketë dy fytyra. Serbia bllokon mallrat e Kosovës se i do Kosovo-Metohia. Metohinë ta mbajnë për vete, kjo është Republika e Kosovës.Serbia nuk është viktimë, Kosova është viktimë. Gjërat duhet të shihen në sy dhe të mos na tregojnë shumë përralla miqtë tanë europianë dhe të mos na kërkojnë më shumë se sa na mbajnë gjunjët ndërkohë që Serbinë e përkëdhelin. Kjo është e papranueshme. Tarifa 100% është irracionale në kushte racionaliteti. Është e vetmja përgjigje normale ndaj Serbisë. Vazhdojmë të jemi 100 në mbështetje të Kosovës”, tha Rama.
Kryeministri tha se kush e quan Presidentin e Kosovës tradhtar për idenë e tij të shkëmbimit të territoreve është gomar.
“Të shohim të ardhmen në mënyrë të qartë. Sot duhet të ndajmë shapin nga sheqeri. Për mua asgjë nuk duhet përjashtuar dhe gjithçka duhet parë me sytë e të ardhmes dhe me një sy të vetëm: Shqiptarët nuk duhet jenë të ndarë. Ata duhen të bashkohen si një komb me dy shtete që dëshirojnë të jetojnë pa kufij mes njëri- tjetrit. Hashim Thaçi është Presidenti i Kosovës dhe komandanti i Ushtrisë së Kosovës. Kush thotë se Thaçi është tradhtar është një gomar”, deklaroi Rama.
Përballë kësaj sjelljeje, Rama kërkoi nga Prishtina që së bashku me Tiranën të lënë fjalët e të kalojnë në veprim.
Rama pohoi se shqiptarët e shohin veten një komb me dy shtete që kërkojnë bashkimin në Europë, por nuk pranojnë goditjen pas shpine të Kosovës./Top Channel