Edi Rama: Samiti i BE shpoi “tullumbacen” për kamp refugjatësh në Shqipëri

Përmes një statusi në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama shprehet se në Samitin e BE të zhvilluar një ditë më parë kanë marrë fund edhe aludimet për ngritjen e një kampi refugjatësh në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama tha të hënën se Samiti i djeshëm i BE-së për krizën e refugjatëve shpoi tullumbacen gjigande të Lajmit të Rremë për Kampin në Shqipëri!

“Ky lajm i prodhuar dhe propaganduar nga esadistët e rinj të Shqipërisë në politikë e media,s’ka asnjë lidhje me planet e BE për refugjatët . Mos t’ua harrojmë këtë turp”, tha Rama në një postim në Facebook.

Edhe një ditë më parë, kryeministri Rama e quajti “lajm të rremë” çdo raportim për ngritjen e mundshme të kampeve për refugjatët sirianë në Shqipëri. Ai madje ka theksuar se çdo lideri evropian që mund t’i bënte një propozim të tillë, do t’i këshillonte një vizitë tek psikologu.

Në bisedimet urgjente në Bruksel, një grup prej 16 vendesh, kryesuar nga Franca dhe Gjermania, debatuan se kush duhet ta mbajë përgjegjësinë për emigrantët që mbërrijnë në Evropë. Numri i të ardhurve në Evropë ka rënë në mënyrë të konsiderueshme këtë vit, por trazirat politike në bllok në lidhje me këtë çështje janë rritur. Partitë antiemigrantë dhe qeveritë në Hungari dhe Itali kanë ushqyer frikën e publikut nga të huajt dhe kanë fituar mbështetje duke e bërë këtë.

BE-ja është e gatshme që të ndezë dritën jeshile për ngritjen e qendrave të përkohshme në Algjeri, Egjipt, Libi, Marok, Nigeri dhe Tunizi.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10155909106731523