Edi Rama refuzon kampet e refugjatëve

Kryeministri në një intervistë për ‘Bild’: Nuk janë mbetje helmuese që nuk i do askush

Kryeministri shqiptar Edi Rama ia shpreh qartë Bashkimit Europian se është kundër ngritjes në Shqipëri të kampeve të pritjes së refugjatëve. Mesazhin ua përcolli përmes një interviste për të përditshmen gjermane “Bild”.

“Kurrë nuk do të pranojmë kampe të tilla për gjithë Bashkimin Europian. Kjo do të thotë që njerëzit e dëshpëruar t’i depozitosh diku si të ishin mbetje helmuese që nuk i do askush. Vendi ynë nuk mund të mbajë mbi shpatulla problemin e të gjithëve. Asnjë vend nuk ka mundur të përballojë i vetëm krizën e refugjatëve.”

Për kryeministrin, çështja e azilkërkuesve nuk duhet të ngatërrohet me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, përcjell Klan.

“Kriza e refugjatëve trajtohet pa u përzierë me përpjekjet tona për tu anëtarësuar në BE. Nuk mendoj kurrë që një gjest heroik të serviret si një gjest mirënjohjeje për anëtarësimin.”

Propozimi i kampeve të strehimit në Shqipëri të azilkërkuesve nga vendet myslimane që janë dyndur vitet e fundit në Europë u propozua fillimisht nga kancelari austriak, Sebastian Kurz. Plani gjeti mbështetjen e disa zyrtarëve në vendeve europiane, por nuk mori rëndësinë që pritej në samitin informal të së dielës, fundjavën e kaluar në Bruksel.