Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në lidhje me deklaratat e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, për ndarjen e vendimit për dy vendet mbi hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), transmeton Anadolu Agency (AA).
Rama, në rrjetet sociale ka shkruar se kjo qasje “nuk duket as e drejtë as praktike”.
“Presidenti Pendarovski nënkupton favorizimin e ndarjes nga Shqipëria në vendimin për negociatat? Çudi kjo qasje, sidomos kur konsideron kontributin kyç të Shqipërisë dhe shqiptarëve në zhvillimet demokratike dhe rrugën evropiane të shtetit mik. S’duket as e drejtë as praktike faktikisht”, shkruan Rama.
Gjatë një vizite në Bruksel disa ditë më parë, Pendarovski për një media të huaj tha se vendi i tij ka zgjidhur problemet e vjetra me dekada, me të cilën ka kontribuar në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se me këtë janë hequr pengesat për anëtarësim në NATO dhe BE.
“Problemi më i madh tani është shkëputja me Shqipërinë. Shqipëria tani është në rrëmujë. Opozita është larguar nga institucionet dhe po bëhet më e tensionuar”, tha Pendarovski, duke kërkuar ndarjen e vendimit për negociatat për dy vendet.
Komisioni Evropian muajin e kaluar rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Për hapjen e negociatave për të dy vendet nevojitet miratim unanim nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2014 dhe është në pritje të vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit.