Edi Rama: Nuk kam lidhje me kriminelë, jam gati për vetting në politikë

Një tjetër çështje mjaft e rëndësishme dhe e diskutuar gjerësisht në vend gjatë ditëve të fundit, është edhe kriminaliteti në Shkodër, për të cilin opozita realizoi edhe një mbledhje të jashtëzakonshme në këtë qytet. Po ashtu kryeministri i vendit foli edhe për vettingun në politikë...

I ftuar në “Open” me Eni Vasilin, Kryeministri Rama ngulmoi se janë shifrat ato që e tregojnë se kriminaliteti ka rënë në qytetin e Shkodrës, por edhe në qytete të tjera të vendit, sipas tij, duke e krahasuar me periudhën kur në krye të vendit ishte PD.

“Sa i përket Shkodrës, shifrat tregojnë se numri i vrasjeve është ulur krahasuar me periudhën kur në qeverisjes ishte PD. 61 persona janë nga vrarë nga viti 2010 deri në 2013-ën në këtë qytet, ndërsa nga 2014-ta deri në 2017-ën janë vrarë 34 persona”, tha Rama.

Më tej, Kryeministri u shpreh se 4 vrasje në një kohë të shkurtër nuk janë një lajm i mirë, por sipas tij, PD nuk ka gojë të flasë.

“Katër vrasje në një kohë të shkurtër nuk janë një lajm i mirë, por kjo nuk diskutohet që ne kemi pritshmëri më mirë se kaq. Unë po them se këta nuk kanë gojë të flasim”, u shpreh kryeministri.

Sa i përket lidhjes së mundshme të qeverisë me krimin në Shkodër, të pretenduar nga opozita, kryeministri tha se nuk merret fare me kontakte me kriminelët, ndërsa shtoi se nuk ka asnjë deputet të PS që influencon policinë.

Ndërkohë që PD ka depozituar në Kuvend një pr/ligj të ri për Vetting të policisë kryeministri Rama ka deklaruar se institucionet që do të hetojnë politikanët janë vetëm SPAK dhe BKH.

“Vetting për politikanët është nëse je apo jo i pastër, të tjerat janë çështje e organeve të drejtësisë. Nëse duam të transparencë për politikanët duhet të gjejmë një mekanizëm. Një pakicë që thotë o bëje siç dua unë, ose nuk bëhet do të thotë që nuk e duan. SPAK dhe BKH janë institucionet që do të hetojnë politikanët, të tjerat shërbejnë për këta si thashetheme. Që të thonë Rama është i lidhur me krimin”, u shpreh Rama.

Më tej kryeministri u shpreh në “Open” se propozimi i bërë nga opozita për vettingun e politikanëve është një lojë e Lulzim Bashës për të krijuar turbullirë.

“Kjo është një lojë e Lulit si artist për të krijuar një turbullirë, ndërkohë që vettingun që po pastron pallatin e drejtësisë nuk e duan. Historitë e tyre nuk ndodhnin as në kohën e Enver Hoxhës: pse i fole atij në rrugë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se këtë çështje do ta çojë në Komisionin e Venecias. “Çështja me kë shoqërohesh, është çështje personale. Pastaj nëse ti influencon te një person i lidhur me krimin atëherë ti duhet të shkosh në burg dhe kjo është çështje e drejtësisë. Ne do të ja çojmë Komisionit të Venecias. Kjo është hedh Luli një gur në lum dhe ne të mbytemi. Jo, ne do e marrim gurin dhe do e çojmë në Komisionin e Venecias”, tha Rama.

Që pas hedhjes së idesë së kreut të PD, Lulzim Basha, që përveç në sistemin e drejtësisë, edhe politikanët t’i nënshtrohen vettingut, kjo ka qenë edhe tema e ditëve të fundit të diskutimit mes opozitës dhe mazhorancës.

Rama u shpreh që dëshiron të hapen librat e pasurive dhe të shpenzimeve të politikanëve, të familjarëve dhe të krushqve të tyre, nisur nga “sarajet” e tij.

“Kur kam hyrë në Kryeministri i kishin marrë të gjitha, nuk kishte asgjë. Unë kam bërë një dasmë dhe janë të regjistruara, të kthyera, të gjitha dhuratat e dasmës që kalojnë një vlerë simbolike. Unë do isha i lumtur sikur të hapeshin të gjitha librat e pasurive dhe të shpenzimeve të politikanëve, të familjarëve dhe të krushqve të tyre. Të merreshin të gjitha shpenzimet e tyre, hotelet ku kanë qëndruar. Mbi të gjitha të zbardheshin të gjitha burimet e të ardhurat që kanë prodhuar pasuri me shpenzime të larta, jo normale. Jam shumë i interesuar që kjo të fillojë nga sarajet e mia”, u shpreh Rama.

Më tej, Rama u shpreh se vetting për politikanët do të thotë, sipas tij, nëse i kanë apo jo duart e pastra.

“Ka një ventting për politikanët, për lidhjet e tyre me krimin dhe pasuritë. Për mua vetting i politikanëve është, duart i ke të pastra apo jo. Je i përfshirë me veprimtari kriminale, ke lidhje me krimin, kjo është çështje e drejtësisë”, tha Rama.