Edi Rama: Ndërhyrje në ligj nëse universitetet nuk adresojnë 3 kërkesat e studentëve

Qeveria mund të ecë përpara me realizimin e kërkesave të studentëve, por nuk mund të adresojë 3 pika që janë kompetencë e universiteteve.

Qeveria mund të ecë përpara me realizimin e kërkesave të studentëve, por nuk mund të adresojë 3 pika që janë kompetencë e universiteteve.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të bibliotekës dixhitale, një kërkesë e studentëve e adresuar tashmë nga qeveria.

“Për sa i përket bursave, bibliotekës dixhitale, rindërtimit të infrastrukturës problematike dhe ndërtimit të infrastrukturës së re, ndërtimin e kampusit universitar në Tiranë, apo të konvikteve, ne mund të vazhdojmë të ecim dhe t’i realizojmë objektivat e vendosura me studentët, por nuk mund të shkojmë gjëkundi për të adresuar 3 pika që sot mbeten në ajër, pjesë integrale e kërkesave të studentëve”, – tha Rama.

Një prej tyre, sipas Ramës, është transparenca e titujve akademik”. “Është diçka që qeveria nuk e bën dot vetë dhe nuk duhet ta bëjë vetë. Por as ka shanse që transparenca e titujve akademike të ndërmerret në kushtet kur një rektorat bën sikur nuk kupton dhe nuk dëgjon”, tha Rama.

Një tjetër çështje që duhet adresuar nga Universitetet, sipas Ramës, është vlerësimi i performancës së pedagogëve. “Kjo është kërkesë legjitime dhe jo origjinale shqiptare, por bazohet në praktikat më të mira ndërkombëtare. Metodat e vlerësimit dihen dhe ajo që duhet është vetëm të zgjedhin dhe procedojnë, por as kjo nuk po ndodh”, – tha Rama, shkruan ATA.

Po ashtu, ai tha se shqetësimi i madh i studentëve që duhet adresuar nga universitetet kanë të bëjnë me tregun e shitjes së librave nga pedagogët në këmbim të notës.

“Mes gjithë pedagogëve që meritojnë gjithë respektin ka edhe sharlatanë që paraqiten si doktor shkencash dhe faktikisht paguhen nga taksat tona dhe marrin në qafë studentë”, tha Rama.

Sipas tij, “këto janë çështje të patjetërsueshme të problematikës së botës sonë universitare”. “Nëse nuk zgjidhim problemin e ‘soft-it’; të mendjes brenda universitetit dhe nuk ndajmë në një proces transparent dhe solid ata që janë realisht profesorë dhe doktorë shkencash nga sharlatanët, ne nuk kemi bërë atë që duhet për të vendosur arsimin e lartë në një bazë të re”.

Por, këtë, sipas Ramës, “duhet ta bëjë universiteti, jo qeveria në mënyrë të njëanshme”. “Ne nuk do të dorëzohemi. Uroj që ne të mos ndërhyjmë në ligj për të marrë në kontroll një zonë që i takon autonomisë universitare, por nëse do të jetë nevoja do të ndërhyjmë, pasi nuk mund t’i lëmë studentët në dorën e atyre që kanë frikë nga vlerësimi i titullit të tyre akademik. Ne po presim me durim të shohim që ky proces të hapet. Kush kujton se kjo do të harrohet e ka gabim. Kush kujton se do të kërcënojë qeverinë me inskenime protestash apo krijime situatash që turbullojnë gjendjen e brendshme të universitetit për t’ju shmangur kësaj, e ka gabim”, – tha Rama.

Rama tha se “ne jemi këtu për të bërë reformat dhe çuar ato deri në fund dhe jo për të siguruar qetësinë tonë në karrige, apo një jetëgjatësi që nuk na intereson fare”.

“Këto që thashë do detyrohemi t’i bëjmë vetë duke ndërhyrë në legjislacion dhe marrë kompetenca që sot i ka universiteti, por këtë nuk e dëshirojmë dhe nuk është më e mira për t’u bërë. Këtë përgjegjësi duhet ta marrin senatet. Sa i takon transparencës me titujt akademikë ne mund të ofrojmë ndihmë, por është një filtër që duhet ta bëjë universiteti, jo qeveria. Por ne do të ndërhyjmë dhe po përgatitemi për planin B. Lutja ime është të fillojë puna në gjithë universitetet për vlerësimin e titujve akademikë, por ne do të veprojmë në kushtet kur do të shohim se nuk ka reagim”, – tha Rama.