Kryeministri Edi Rama tha në “Opinion” se pavarësisht protestave të studentëve, ligji i Arsimit të Lartë nuk ka rënë, por duhet zbatuar.
“Në asnjë mënyrë (nuk ka rënë). Ligji i Arsimit të Lartë duhet zbatuar. Ligji i Arsimit të Lartë nuk është zbatuar si duhet.”
Kreu i ekzekutivit tha se një pjesë të madhe të fajit për kërkesat e studentëve është e universiteteve, të cilat janë autonome.
“Autonomia është shfrytëzuar faktikisht si mungesë përgjegjësie. Sepse në të gjithë atë listë kërkesash, një pjesë e tyre nuk ka lidhje fare me qeverinë.”
Rama u kujdes të kujtonte se abrogimi i Ligjit të Arsimit të Lartë nuk është në mesin e 8 kërkesave të studentëve, por është më shumë diçka që kërkohet nga pedagogë të ndryshëm.
Studentët që protestojnë, Kryeministri Edi Rama i ka ftuar edhe sot të dialogojnë. I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Rama tha se ishte dakord me të gjitha kërkesat që parashtrojnë studentët.
Kreu i qeverisë tha se e pranonte edhe rritjen e buxhetit në 5% të GDP-së, por kjo ishte e pamundur të bëhej menjëherë në kushtet që ndodhet vendi ndaj duhet shtrirë në kohë.
Kreu i qeverisë shprehu dakordësi për të rritur buxhetin për arsimin. Sa u takon tarifave të shkollimit Rama tha se ishte dakord që ato të përgjysmoheshin duke përdorur përshkallëzim në favor të ekselentëve dhe shtresave në nevojë./TV Klan