Edhe një shtyrje e votimit për Demarkacionin

Rreth nëntë orë debate e polemika në Kuvendin e Kosovës nuk janë përmbyllë me procedurën e votimit të Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Seanca është shtyrë të vazhdohet të mërkurën, kur me gjasë do të iniciohet edhe procedura e votimit, ndonëse sipas koalicionit qeverisës, votimi do të ndodhë vetëm nëse paraprakisht sigurohen votat për ratifikim.

Polemikat janë zhvilluar kryesisht ndërmjet deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, si kundërshtuese e marrëveshjes në njërën anë, dhe pjesës tjetër të Kuvendit që e mbështetë marrëveshjen, në anën tjetër.

Por, pavarësisht faktit që partitë e koalicionit qeverisës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës u deklaruan në mbështetje të marrëveshjes, ishte mjaftë e qartë se Kuvendi nuk i kishte 80 votat e nevojshme për ratifikim. Andaj, edhe votimi për ratifikimin e demarkacionit u shty për ditën pasuese, të mërkurën.

Në mbështetje të marrëveshjes, besohej se ishin jo më shumë se 78 deputetë, ndërkaq mungonin edhe të paktën dy vota. Njëra votë, sipas pritjeve të spektrit që mbështetë marrëveshjen eventualisht mund të shtohet të mërkurën, kur deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi pritet të kthehet, ngaqë ai mungoi të martën me arsyetimin se kishte probleme shëndetësore. Kurse vota tjetër, ka të bëj me deputetin e komunitetit goran, nga Lista Serbe, Adem Hoxha i cili të martën nuk ishte i pranishëm në seancë.

Prania e këtyre dy deputetëve në vazhdimin e seancës dhe vota e tyre pro-demarkacionit, shihet si esenciale për kalimin e marrëveshjes.

Gjatë debatit parlamentar, arsyetimin për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje e ka bërë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai tha se Kosova ka kaluar një fazë jo të lehtë, por pas shumë përpjekjesh, bisedash e negociatash, më në fund është arritur një version i pranueshëm për të gjitha palët.

Si të tillë, ai ftoi deputetët që të votojnë për ratifikimin e marrëveshjes.

“Vota për këtë ligj është votë për shtetin, për perspektivën euro-atlantike dhe lirinë e lëvizjes”, theksoi Haradinaj.

Ai tha se i siguron të gjithë se me ratifikimin e demarkacionit, nuk cenohet integriteti i Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se LDK e mbështet këtë marrëveshje. Ai rikujtoi se kjo çështja ka mund të zgjidhet qysh para dy vjet e gjysmë dhe se është zvarritur pa ndonjë arsye.

Ai ka ftuar edhe partinë tjetër opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje që ta përkrahë marrëveshjen. Po ashtu, Hoti e ka rikujtuar edhe kryeministrin Ramush Haradinaj për kundërshtimin e ashpër që dikur i bënte kësaj marrëveshjeje. Andaj, Hoti tha se pas ratifikimit të Demarkacionit, kryeministri Haradinaj do të duhej të jepte dorëheqje.

Mbështetje ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacion i ka dhënë edhe Partia Demokratike e Kosovës përmes deputetit, Memli Krasniqi.

“Gati tre vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes, ne sot jemi mbledhur për t’i dhënë drejtim, unë besoj për ratifikimin e saj dhe për t’i çliruar edhe qytetarët nga kjo temë, e cila është shndërruar në traumë kolektive”, tha Krasniqi.

Me qëndrime krejtësisht ndryshe është paraqitur Lëvizja Vetëvendosje. Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se në sallë janë sjell edhe nënshkrimet e peticionit të qytetarëve të Kosovës kundër Demarkacionit, peticion të cilin e kishte mbështetur edhe vetë kryeministri Haradinaj, kur ishte në opozitë.

Deputetët e Vetëvendosjes më pas i vendosën kutitë me peticionin e nënshkruar afër vendit ku Haradinaj qëndronte ulur në sallën e Kuvendit. /REL