Edhe Haradinaj në kurthin e komedianëve rus, publikohet biseda

Komedianët premtojnë njohjen e Pavarësisë së Kosovës

Njëri nga ta i është paraqitur Haradinajt në emër të  ish-Presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko. Ai dëgjohet duke i premtuar Haradinajt se do ta njohë Pavarësinë e Kosovës pas zgjedhjeve ndërsa si shkëmbim kërkonte përkrahjen e Haradinajt.

Në këtë bisedë telefonike të publikuar në Youtube nga ‘Russia 24 tv’, Haradinaj i premton mbështetje ‘Poroshenkos’, duke i thënë se do ta përkrahë publikisht përmes llogarisë së tij në Twitter.

 “Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë për ju, dhe jam i lumtur që mund t’iu uroj sukses për të dielën. Kjo është shumë e rëndësishme për shtetin, do të lutem për ju në të gjitha zgjedhjet”, i ka thënë Haradinaj njërit prej dy komedianëve rus duke besuar se po bisedon me Poroshenkon.

Ndërsa ai i ka kthyer përgjigje duke i thënë se pas fitores do ta pranojë Kosovën si një shtet të pavarur.

Menjëherë pas bisedës Haradinaj pati publikuar një status në Twitter ku i ka uruar fitore në zgjedhje Petro Poroshenkos dhe Kryeministrit të tij ‘Vovan Lexusov’, emër ky i rremë, pasi dy komikët rusë kishin kombinuar emrat e tyre.

Dje në një konferencë për media, Haradinaj ka thënë se nuk ka dalë nga shablloni në këtë bisedë por ka kërkuar njohjen e Kosovës. Sipas tij, linja telefonike është hakuar nga ta.

Pre e komikëve rusë ka rënë edhe Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, i cili ka treguar gjithashtu se ka qenë ai që ua ka dhënë numrin e Ramush Haradinajt, komikëve rus.