EasyJet nis sot fluturimet nga Tirana në Itali e Zvicër, Gjeneva me 83 euro

Avioni i kompanisë prestigjioze botërore “easyJet” sot preku tokën shqiptare, duke çelur kështu linjën e re të operimeve të kësaj kompanie në destinacionet si Milano, Itali dhe Gjenevë, Zvicër, njoftoi Autoriteti i Aviacionit Civil.

Kompania e fluturimeve low-cost “easyJet”, me qendër në Londër, e cila në flotën e saj përbëhet nga mbi 200 avionë, operon mbi 600 destinacione në 133 aeroporte të botës dhe tansporton mbi 55 milion pasagjerë në vit.

Sipas të dhënave nga faqja e internetit të Easy Jet, drej Milanos fluturimet do të jenë dy herë në javë, të enjten dhe të dielën. Çmimet e biletave për fluturimet në dhjetor janë 91 euro për vajtje-ardhje (ikje 5 dhjetor dhe kthimi 8 dhjetor), duke qenë në këmë mënyrë rreth 10-20% më të lira në krahasim me dy operatorët e tjerë që ofrojnë fluturime drejt këtij destinacioni. Me Air Albania, në të njëjtat data, bileta kushton 114 euro, me Blue Panorama 110 euro.  Më e lira është me Fly Ernest, me 87 euro.

Konkurrenca drejt Italisë është rritur ndjeshëm dy vitet e fundit për shkak të shtimit të numrit të linjave, ku tashmë operojnë Blue Panorama dhe Alba Wings, Fly Ernest dhe Air Albania.

Drejt Gjenevës së Zvicrës, fluturimet do të jenë tre herë në javë, të dielën, të martën dhe të enjten. Për fluturime në të njëjtat data, 5 dhe 8 dhjetor, bileta është edhe më e lirë se drejt Milanos, duke kushtuar 83 euro. /Monitor