E rëndë në Tiranë, burri godet me thikë në trup dhe qafë bashkëshorten

Një ngjarje e rëndë është shënuar të enjten në Tiranë, ku një 52-vjeçar ka goditur me thikë në trup dhe qafë gruan e tij 46-vjeçare. Policia tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:15, në rrugën “Xhanfize Keko”.

Shtetasi Jakup Shahu, 52 vjeç, dyshohet se ka goditur me mjet prerës në trup dhe në qafë, bashkëshorten e tij, shtetasen E. Sh., 46 vjeçe, bëri me dije policia.

46-vjeçarja ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa autori i dyshuar u arrestua në flagrancë për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë.

Xhelozia dyshohet se është shkaku që 52-vjeçari ka qëlluar me thikë disa herë gruan e tij.

Shahu rezulton person me precedent të mëparshëm penalë, në vitin 2011 ka kryer vrasje dhe ka bërë 13 vite burg.

Çifti Shahu kanë një fëmijë, që nuk ka qenë në banesë në momentin që ka ndodhur ngjarja.