Shpëtim Pjeshka 63-vjeçar, banues në Elbasan, është arrestuar ditën e sotme, pasi ëhstë kapur me 15 kilogramë heroinë, në Kakavijë.
Ndalimi i Pjeshkës është bërë mbrëmjen e sotme, teksa ky i fundit drejtonte një kamion me të cilin po tentonte të kalonte kufirin në Kakavijë.
“Bazuar në analizën e riskut të bërë nga Policia Kufitare dhe shkëmbimit të informacionit me strukturat e DVP Gjirokastër, në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, në dalje u përzgjodh për kontroll në vijën e dytë, një automjet tip kamion, me drejtues shtetasin SH. P.”- njofton policia.
Sakaq, policia njofton se pas kontrollit të ushtruar nga shërbimet doganore dhe shërbimet e FRONTEX-it, u gjetën 15 kg heroinë, e cila ishte fshehur në kroskotin e kamionit. Droga ishte e ndarë në 30 pako.
“Gjatë kontrollit të detajuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 30 pako të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me peshë totale 15 kilogramë.”- njofton policia e cila ka publikuar edhe pamjet nga sekuestrimi I drogës.
Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. /oranews