E diela e futbollit/ Rikthen të luajnë Inter, Real dhe një derbi në Premier League

E diela e futbollit/ “Debi i Merseyside”, Inter, Real Madrid...

Futbolli europian prezanton një të dielë emocionuese me ndeshjet në disa prej kampionateve kryesore që do të vendosin shumë mbi titullin dhe objektivat sezonalë.

Në Premier Ligue, duke nisur nga ora 20:00 do të marrë jetë derbi i qytetit të Liverpul, që për publikun shqiptar vjen përmes platformës Digitalb.
Armatës së trajnerit Jurgen Klop i duhen dy fitore në 9 ndeshjet e mbetura për të rikthyer titullin në Anfild Roud, dhe një mund ta marrë sonte kundër Everton.

Reds kanë pritur plot 30 vjet për fronin e futbollit anglez, dhe sot ndaj ekipit të trajnerit Anceloti mund të bëjnë një hap të madh duke pritur sfidën e Mancester Siti të hënën ndaj Bërnli, raporton Top Channel.

Në serinë A ndeshja kryesore do të jetë ajo në San Siro mes Interit dhe Sampdorias. në një orar të pazakontë në 21:45 në Supersport, zikaltërit do të shpresojnë të mos shkëputen nga diskutimi për titullin edhe pse janë 9 pikë larg Juventus. Sensi i dëmtuar më parë, dhe Brozovic së fundmi, janë mungesat më të rëndësishme për vendasit.

Në kampionatin spanjoll të futbollit spikat impenjimi i Realit të Madridit në fushën e Sociedad. Në ndeshjen që transmetohet në Digitalb, një sukses potencial sot në mbrëmje në orën 22:00, do ta barazonte ekipin galaktik në krye me Barcelonën me 65 pikë secili, në një skenar intrigues për titullin në la Liga.