E dërguara e OKB-së takon Suu Kyi-n e Mianmarit

Gjatë takimit, ata shkëmbyen pikëpamje mbi bashkëpunimin midis vendit dhe OKB-së në trajtimin e sfidave me të cilat ballafaqohet Mianmari, përfshirë edhe krizën Rohingya

Qeveria e Mianmarit tha se këshilltarja shtetërore Aung San Suu Kyi dhe një e dërguar e Kombeve të Bashkuara (OKB) kanë diskutuar mbi zhvillimin e shtetit perëndimor Rakhine, ku një goditje ushtarake brutale ka detyruar gati një milion muslimanë Rohingya të ikin në Bangladeshin fqinj gjatë disa muajve të fundit.

Christine Schraner Burgener, e dërguara e posaçme e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, mbërriti në Mianmar të martën. Ajo do të takohet me autoritetet e Mianmarit, udhëheqësit e organizatave të armatosura etnike, grupet e shoqërisë civile dhe udhëheqësit fetarë si dhe me diplomatët për të diskutuar çështje të tilla si kriza në Rakhine, procesi i paqes, procesi i demokratizimit dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.

Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mianmarit, Suu Kyi dhe Burgener u takuan sot në kryeqytetin e vendit Nay Pyi Taw.

Në deklaratë thuhet se gjatë takimit, ata shkëmbyen pikëpamje mbi bashkëpunimin midis vendit dhe OKB-së në trajtimin e sfidave me të cilat ballafaqohet Mianmari, përfshirë edhe krizën e muslimanëve Rohingya.

“Këshilltarja shtetërore theksoi nevojën që e dërguara e posaçme të përpiqet të njohë situatën në terren dhe kompleksitetin e saj në një mënyrë më objektive”, tha deklarata e ministrisë.

Burgener qëndron në vizitën e saj të parë në vend për t’u mbajtur lidhjet me qeverinë e Mianmarit me qëllim për të rritur bashkëpunimin e kësaj qeverie me OKB-në dhe që në mënyrë konstruktive të trajtojnë çështjet e shtetit Rakhine dhe për të ofruar ndihmë në afrimin e komuniteteve budiste në Rakhine dhe muslimanëve Rohingya.

Nga Mianmari, Burgener do të vazhdojë vizitën e saj në vende të tjera në rajon, përfshirë Bangladeshin, raporton “Anadolu Agency”.

Sipas Amnesty International, që nga 25 gushti i vitit 2017, më shumë se 750 mijë refugjatë, kryesisht fëmijë dhe gra, kanë ikur nga Mianmari dhe kanë kaluar në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit filluan një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman.

Sipas Mjekëve pa Kufij, të paktën 9.400 muslimanë Rohingya u vranë në Rakhine nga 25 gushti deri në 24 shtator të vitit të kaluar.

Në një raport të publlikuar kohët e fundit, grupi humanitar tha se vdekjet e 71,7 për qind ose 6.700 muslimanëve Rohingya u shkaktuan nga dhuna. Ato përfshijnë 730 fëmijë nën moshën 5 vjeçare.

Muslimanët Rohingya, të përshkruar nga OKB-ja si njerëzit më të përndjekur në botë, janë përballur me frikën e rritur të sulmit, pasi dhjetra u vranë në dhunën komunale në vitin 2012.

OKB-ja dokumentoi përdhunime në masë të grupeve, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të kryera nga personeli i sigurisë.

Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.