Duke pritur të shembet…

Dhjetëra banorë në rrezik pas tërmetit

E ndërtuar që në vitin 1992, shtesa e këtij pallati  në zonën e Tregut Elektrik, në Tiranë është kthyer në rrezik për banorët që jetojnë në të, por edhe për ata në banesat private pranë tij. Siç shihet edhe nga pamjet, ajo është tërësisht e shkëputur nga pjesa tjetër, si pasojë e tërmetit të fortë që goditi vendin më 21 Shtator.

Në këtë banesë jetojnë 5 persona. E zonja e shtëpisë thotë se fle çdo natë me frikën e shembjes.

Pas tërmetit, me një vendim të njësisë bashkiake nr.2, banorët janë lajmëruar të lirojnë ambientet, por nuk është marrë asnjë veprim konkret për të shmangur rrezikun që kanoset.

Të dëmtuara janë edhe katër katet e tjera. Madje krisjet e para janë shkaktuar shumë kohë më parë.

Tahir Muha tregon se pronarët kanë premtuar se do të ndërhyjnë për rikonstruksionin e pallatit, por deri tani as ata dhe as institucionet nuk kanë marrë asnjë masë.

Megjithëse pamjet flasin qartë, çështja vazhdon të zvarritet, duke lënë dhjetëra persona në mëshirë të fatit, jo vetëm ata që banojnë këtu, por edhe për fëmijët që luajnë para pallatit, kalimtarë të rastit apo drejtues të mjeteve, pasi pallati është ngjitur me rrugën.