“Duhet të mësohemi të jetojmë në një shoqëri me të tjerët”

"Duhet të mësohemi të jetojmë në një shoqëri me të tjerët të cilët janë ndryshe nga ne dhe ky është një virtyt, është një bazë për përparimin mbarëshoqëror", tha Ademi

Nëse synojmë unitetin, atëherë do të duhet të mësohemi të jetojmë në një shoqëri me tjerët të cilët janë ndryshe nga ne, deklaroi ministri i Arsimit i Maqedonisë, Arbër Ademi në hapje të seminarit ndërkombëtar “Multikultura, multilingualizmi dhe interkulturalizmi përgjatë shekujve”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalimin e tij Ademi në seminarin i cili u mbajt në Universitetin “Nëna Tereza” në Shkup, tha se bëhet fjalë për çështje të cilat janë shumë të rëndësishme për shoqëritë, siç është Maqedonia.

“Ne përkrahim secilin aktivitet, secilin seminar i cili çmon këto vlera, sepse besojmë fuqishëm se nëse dëshirojmë të jetojmë në unitet, do të duhet të mësohemi të jetojmë në një shoqëri me të tjerët të cilët janë ndryshe nga ne dhe ky është një virtyt, është një bazë për përparimin mbarëshoqëror”, theksoi Ademi.

Ministri i Kulturës, Asaf Ademi, në adresimin e tij para të pranishmëve theksoi se ndonëse jetojmë njëri pranë tjetrit, qytetarët e vendit nuk janë dhe aq bilinguistë.

“Ne që jetojmë këtu si qytetarë të Republikës së Maqedonisë, kemi jetuar njëri pranë tjetrit, megjithatë shumë pak jemi bilinguistë, prandaj inkurajoj të gjitha institucionet, në veçanti universitetet të organizojnë konferenca të tilla ku do të arrijmë konkluzione konkrete”, tha ai.

Akademiku Luan Starova, foli mbi aspektet e multikulturalizmit dhe multilinguizmit që dalin nga kategoria e tolerancës, nga aspekti i kulturës dhe letërsisë shqiptare.

“Teza ime kryesore është se toleranca ndërfetare që ka ekzistuar për një kohë të gjatë në mesin e shqiptarëve, është faktori kryesor për mbijetesën e tyre që lidhet me ndërtimin e marrëdhënieve të mira të bashkëjetesës me popullsinë me të cilën shqiptarët kanë bashkëjetuar ose ka jetuar pranë”, tha Starova.

Rektori i Universitetit “Nëna Tereza”, Aziz Pollozhani tha se seminari do të merr karakter tradicional.

“Synojmë ta bëjmë këtë konferencë tradicionale. Përmes qasjes akademike të zhvillojmë këto komponente, të mund ta afirmojmë edhe tek të rinjtë, në mesin e rinisë studentore dhe më gjerë”, theksoi Pollozhani.