Ambasadori i ri i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomáš Szunyog, në një fjalë përshëndetëse për qytetarët me rastin e marrjes së detyrës së re, ka thënë se “do të bëjë çmos për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj evropiane”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një komunikatë për media nga Zyra e BE-së në Kosovë, Szunyog, i cili është pasardhës i Nataliya Apostolova, tha se i ka rënë të trajtojë çështje që kanë të bëjnë me Kosovën nga viti 1998, ndërsa tani ka mbërritur në këtë vend në kohëra mjaft sfiduese të COVID-19.
“Krahas asistencës në lidhje me COVID-19, unë do të vazhdoj të promovoj prioritetet tashmë të vendosura dhe afatgjata të BE-së: arsim më të mirë për të gjithë, më shumë siguri juridike, mbështetje për rritjen ekonomike dhe klimë të përmirësuar për investime. Është thelbësore që qytetarët të kenë besim tek institucionet dhe të dinë që përparimi i tyre në jetë është rezultat i punës dhe i meritave të tyre. Unë do të vazhdoj të bëj thirrje për luftë efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Szunyog.
Ambasadori i ri i BE-së në Kosovë tha se do të punojë gjatë mandatit të tij për çështjet e mjedisit në vend, për zbatim më të fortë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, për shërbime sociale më të mira, barazi gjinore, si dhe të drejtat e komuniteteve.
Duke folur për rrugën euroatlantike të Kosovës, ai theksoi se do që qytetarët të mund të udhëtojnë sa më shpejtë pa viza në vendet e BE-së.
“Unë dua që qytetarët e Kosovës të jenë në gjendje të udhëtojnë pa viza sa më shpejtë që të jetë e mundur. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë thënë që Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe kanë rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën. Vendimi përfundimtar tani duhet të merret nga shtetet anëtare të BE-së”, theksoi Szunyog.
Ai foli edhe për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën tha se “sa më shpejtë që të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve, aq më parë Kosova do të jetë në gjendje të ecë përpara”.
Ambasadori Szunyog është diplomat çek, me përvojë të gjatë në punët dhe shërbimet e BE-së në Evropën Juglindore.
Szunyog më parë ka shërbyer si Përfaqësues i Përhershëm i Republikës së Çekisë në Komitetin Politik dhe të Sigurisë të BE-së. Para kësaj, ai ishte Drejtor i Departamentit të Politikave të Sigurisë dhe i Departamentit të Evropës Juglindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Çekisë. Ai ishte gjithashtu ambasador i Çekisë në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Slloveni.