Rasti i Drejtorit të Tatimeve Ceno Klosi i cili jep 140 mijë paund me fajde dhe ka një vilë luksoze në Londër ku ka të regjistruar biznesin e tij u trajtua në emisionin “Pikat mbi I’ në News 24.
Analisti Artur Zheji u shpreh se SPAK tashmë ka lëndën e parë për të treguar nëse do të qëndrojë indiferent apo do të veprojë.
Pikat Mbi I
Zheji: SPAK sinjalizimin e mediave kur ka materiale investigative, duhet të verifikojë. Media drejton gishtin, bashkon disa të dhëna që dalin, por pastaj është SPAK që i qep këto të dhëna në një ekuacion i cili në bazë të provës përcakton nëse është një ekuacion korruptiv apo është një ekuacion jokorruptiv. Të gjitha këto elementë që u dhanë tani duket se kemi të bëjmë me një njeri i cili duhet të tatojë njerëzit, të mbledhë lekët për llogari të shtetit, dhe siduket i teprojnë lekë dhe të ketë shumë të tjera mbase jo të justifikuara. Këta njerëz nuk vijnë nga një aristokraci financiale e caktuar dhe tani u jepet kjo detyrë. E gjitha është një lëndë e parë për SPAK. Ky është presioni real që i bëhet SPAK, jo ta paragjykosh si çerdhe keriminelësh. Janë indicie investigative. Në qoftë se SPAK anashkalon investigimin e mediave dhe denoncimet që bëjnë opinionistët, kuptohet që shpresa venitet, SPAK mbetet një shpresë dhe jo një realitet.
Lubonja: Nuk është se nuk i dimë këto, në kuptimin që, ne vijmë nga një vend kur në vitet 90 bënte ndonjë vilë ndonjëri dhe njerëzit e quanin normale. Thonin “punon në doganë ky”, ose “është ministër, është në tatime”. Ka pasur njerëz që thoshin “10% më takojnë mua po të dhashë tenderin”. Ose këta që bënin trafik njerëzish me skafet, hapnin restorante dhe ne hanim atje. Kështu është ndërtuar Shqipëria. Ajo që më bën pessimist është që këta njerëz që përshkova të viteve 90, këta janë bërë klasë dominante, këta kanë pushtetin, këta janë pronarët e qyteteve. Përpara këtij realiteti ndihemi të fuqishëm. SPAK është brenda këtij sistemi dhe është i pafuqishëm. SPAK ka disa instrumenta, por edhe atje ku teorizohet ndarja e pushteteve ka një diference mes fuqisë që kanë këta pushtete. Të gjithë i mëshojmë tezës që pushteti më i fortë është pushteti ekzekutiv, sepse ai ka edhe policinë. Kur donte të hetonte Ina Rama 21 Janarin, ai e ndaloi. Këta kanë kapur ekzekutivin dhe a ke ti fuqi apo jo të veprosh? Unë për rastin konkret ngre dyshimet e mia: këtë po e sakrifikojnë, ose ka luftë me disa të tjerë dhe kanë nxjerrë këtë se ky ka shumë. Nuk jam kundër që të veprojë SPAK, por nuk më bind një luftë e vërtetë kundër “Ndraghetës” sonë, por gjithmonë mbetem te dyshimi.