Drejtori i “Deutsche Bank” anulon pjesëmarrjen në konferencën në Arabi Saudite

Rasti i fundit ka të bëjë me drejtorin Ekzekutiv të Deutsche Bank, Christian Sewing, i cili vendosi të mos marrë pjesë në konferencën e Iniciativës për Investime të Ardhshme

Në vazhdën e debateve ndërkombëtare lidhur me rastin e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, një bankier i lartë gjerman, i’u bashkua eksodit të udhëheqësve të cilët braktisën konferencën ekonomike që po mbahet në Arabinë Saudite, raporton Anadolu Agency (AA).

Rasti i fundit ka të bëjë me drejtorin Ekzekutiv të Deutsche Bank, Christian Sewing, i cili vendosi të mos marrë pjesë në konferencën e Iniciativës për Investime të Ardhshme.

Lajmi është konfirmuar nga e përditshmja gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, e cila thotë se bankieri gjerman, ndoqi hapat e një numri të madh zyrtarësh të lartë ekonomikë nga SHBA-të, Britania e Madhe, Franca dhe Holanda të cilët bënë të qartë se nuk do të marrin pjesë në konferencën në fjalë, nikoqir i së cilës është princi saudit i kurorës, Mohammad bin Salman.

Në mesin e personave që kanë konfirmuar mospjesëmarrjen janë sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, sekretari britanik i Shtetit për Tregti Ndërkombëtare, Liam Fox, ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, drejtoresha e FMN-së, Christine Lagarde dhe Richard Branson, nga Mangled Virgin Group.

E quajtur “Davos në shkretëtirë”, e planifikuar për datat 23-25 ​​tetor, konferenca është një përpjekje e princit saudit për të diversifikuar ekonominë e vendit të bazuar në naftë.

Administrata e Arabisë Saudite pranoi se Jamal Khashoggi i cili ishte zhdukur më 2 tetor pas kishte hyrë në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll “ka humbur jetën si rezultat i grindjeve në ndërtesën e konsullatës”.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, deklaroi se është “thellësisht i pikëlluar” nga vdekja e konfirmuar e gazetarit saudit Jamal Khashoggi. Ai thekson nevojën për një hetim të shpejtë, të plotë dhe transparent për zbardhjen e rrethanave që çuan në vdekjen e Khashoggit dhe kërkon përgjegjësi të plotë nga përgjegjësit.