Donald Trump konfirmon vdekjen e Baghdadit në operacionin amerikan

"Abu Bakr al-Baghdadi vdiq. Vdiq si një frikacak, duke ikur dhe duke qarë", tha Trump në një deklaratë para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i SHBA-së Donald Trump konfirmoi vdekjen e kreut të organizatës terroriste DEASH, Abu Bakr al-Baghdadi, në një operacion amerikan në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).

“Abu Bakr al-Baghdadi vdiq. Vdiq si një frikacak, duke ikur dhe duke qarë”, tha Trump në një deklaratë para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Trump tha se gjatë operacionit, Baghdadi ka hyrë në një tunel dhe se K9 e kanë ndjekur atë.

“Baghdadi shpërtheu veten me jelekun shpërthyes të veshur. Rezultatet e ADN-së konfirmuan se personi i vdekur është ai”, shtoi presidenti amerikan.

Trump tha se Baghdadi tentoi të ikte përmes tunelit, i cili rezultoi të jetë pa dalje, duke marrë me vete tre nga fëmijët e tij të rinj. Por teksa forcat amerikane po afroheshin, u shpreh ai, Baghdadi shpërtheu jelekun vetëvrasës, duke i marrë jetën vetes dhe këtyre fëmijëve.

Ai theksoi se Baghdadi tashmë disa javë ka qenë në radarët e tyre dhe falënderoi Turqinë, Rusinë, Sirinë dhe Irakun, duke thënë se SHBA ka punuar në koordinim me këto vende.

“Turqia e dinte se ku po shkonim. Nuk kishte asnjë problem. Ata na ndihmuan shumë. Ishte e mrekullueshme”, deklaroi Trump.