Disfata e 6 marsit/ Gjekmarkaj jep dorëheqjen si nënkryetar i PD-së

Agron Gjekmarkaj ka vendosur të japë dorëheqjen nga funksionet e PD-së, pas disfatës të së djathtës në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit të mbajtura në gjashtë bashki në vend.

Vetë nënkryetari i PD-së, Gjekmarkaj e ka bërë publik vendimin e tij në mbledhjen e grupit, atë që më herët e ka dhënë në një status në rrjetet sociale.

Ai i ka kërkuar Bashës të mbajë përgjegjësi dhe shembullin e ka dhënë vetë i pari, duke dhënë dorëheqjen.

Këtë të hënë, përmes një shkrimi në “Facebook”, deputeti demokrat e cilësoi humbje tronditëse rezultatin e zgjedhjeve lokale në gjashtë bashki të vendit. Çdo justifikim është i papranueshëm, thekson ai.

Në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit, Partia Demokratike pësoi një humbje tronditëse duke tejkaluar çdo parashikim ogurzi. Përtej çdo rrethane kundër nesh, sado të dukshme e turpëruese, ne nuk mund të akuzojmë askënd pos vetes. Çdo justifikim është i papranueshëm!

PD duhet të mbledhë sonte me urgjencë organet e saj dhe të nxjerrë përgjegjësitë që çuan në këtë katastrofë elektorale. Unë, prej dy muajsh jam njëri prej katër Nënkryetarëve të PD-së dhe jam i gatshëm të mbaj pergjegjësinë time.

Nuk do t’i shmangem asaj për asnjë arsye apo interes që bie në kundërshtim me vullnetin e shoqërisë dhe parimet e mia etike”.