Disa rajone në Itali kërkojnë masa më të rrepta ndaj Covid-19, qeveria e rezervuar

Numri i rasteve të konfirmuara në vend është rritur në 15.113, ndërsa i vdekjeve në 1.016

Në Itali, e cila është duke përjetuar ditë të jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit të ri (Covid-19), zyrtarët e rajonit ku më së shumti është hasur virusi kërkojnë masa më të rrepta për të parandaluar përhapjen, ndërsa qeveria për momentin është e rezervuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Numri i rasteve të konfirmuara në vend është rritur në 15.113, ndërsa i vdekjeve në 1.016.

Zyrtarët e rajoneve të Lombardisë, Venetos dhe Emilia-Romagna ku virusi është përhapur më së shumti, filluan të shprehin se ka nevojë për masa më të rrepta.

Ndërsa qeveria është me rezerva për momentin ndaj këtyre kërkesave. Ministrja e Brendshme Luciana Lamorgese, në deklaratën për gazetën Corriere della Sera, tha se janë të vetëdijshme për seriozitetin e gjendje me të cilën janë duke luftuar.

“Tani do t’i shikojmë rezultatet që vijnë. Nëse nuk janë rezultatet që i duam, nëse ka nevojë mund të marrim vendime më të guximshme”, tha ajo.

Lamorgese potencoi se qytetarët duhet të shmangin format e papërgjegjshëm të sjelljes për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, duke shtuar se tani të gjithë janë duke u sjellë më të përgjegjshëm.

Kina me ndihmë mjekësore ndaj Italisë

Ndërkohë, Kina prej ku buron virusi, i ka dërguar një ndihmë mjekësore prej 31 tonësh Italisë.

Në njoftimin e bërë nga llogaria e Twitterit e Ambasadës kineze në Romë, thuhet se një avion i kompanisë China Eastern nga qyteti Shangaj mbrëmë ka arritur në aeroportin Fuimicino të Romës.

Kina bashkë me ndihmë mjekësore ka dërguar edhe një ekip prej 9 doktorësh dhe aparat respiratori, si dhe mjete mbështetëse dhe maska.

Nga ana tjetër kryetarja e bashkisë së Romës, Virgina Raggi, falënderoi Kinën për këtë ndihmë.