Dilema e DEASH-it, pas vdekjes së Bagdadit vazhdon pretendimi i kalifatit

Sipas ekspertëve, DEASH synon të vazhdojë me pretendimin e tij për një kalifat në të gjithë botën, pavarësisht mungesës së tokës së vet

Sipas ekspertëve, DEASH do të vazhdojë me përhapjen e pretendimit të tij ideologjik të të ashtuquajtur kalifati mbarëbotëror edhe pas vdekjes së liderit të organizatës dhe shpalljes së një “kalifi” të ri javën e kaluar.

Organizata terroriste DEASH, e njohur gjithashtu si ISIS, të enjten e kaluar në një audio deklaratë konfirmoi vdekjen e liderit të saj Abu Bakr al-Bagdadi.

Në regjistrimin e lëshuar në kanalet e aplikacionit Telegram të afërta me DEASH-in, Abu Hamza al-Qurayshi, i ashtuquajturi zëdhënës i ri i grupit terrorist, konfirmoi vdekjen e Bagdadit dhe zëdhënësit të DEASH-it, Abu al-Hassan al-Muhajir.

Sipas zv/dekanit të Fakultetit të Shkencave Islame në Universitetin Şehir të Stambollit, Mehmet Ali Büyükkara, i cili foli për Anadolu Agency (AA), vdekja e Bagdadit “padyshim që është një krizë shumë e rëndë për organizatën terroriste”.

Büyükkara thotë se Bagdadi ishte një lider-rrjeti që zgjeroi fushën e organizimit nga Iraku në Siri, që pushtoi qytetin sirianë Raqqah dhe atë irakian Mosul, ndërsa më vonë që deklaroi formimin e të ashtuquajturit kalifat në rajon.

Siç thekson ai, Bagdadi menaxhoi procesin e mbërritjes në këto rajone të migrantëve dhe luftëtarëve nga pothuajse të gjitha pjesët e botës dhe u përpoq që në ato territore të krijojë një shtet funksional nën kontrollin e tij.

Büyükkara thotë se Bagdadi udhëhoqi krijimin e celulave terroriste në vendet muslimane dhe jo-muslimane në mbarë botën, si dhe shton se “Bagdadi arriti të nënshtrojë organizata të ndryshme në rajone të tjera, përfshirë ato që janë të lidhura me talebanët”.

DEASH themeloi bashkëpunëtorë lokalë në rajone të tjera pasi në internet lëshoi video të neveritshme ekzekutimi dhe kreu sulme të tmerrshme që arritën larg nga bastioni kryesor territorial i tij.

– DEASH vazhdon me pretendimet fetare dhe ideologjike

Sipas një deklarate nga Al-Furqan, krahu i mediave të grupit, DEASH emëroi si drejtues të ri Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi dhe u zotua për besnikëri ndaj “emirit” të ri.

Büyükkara thekson se titujt “Hashimi” dhe “Qurayshi” tregojnë se DEASH synon të vazhdojë me pretendimin e tij për një kalifat në të gjithë botën.

Ai shpjegon se sipas opinionit të përbashkët në shkollën e Islamit suni, Amir al-Mu’minin, apo Komandantit të Besimtarëve, duhet të jetë një pasardhës i fisit Quraysh të profetit Muhammed.

Büyükkara shton se tani nuk është plotësisht e qartë se kush është saktë drejtuesi i ri.

Presidenti amerikan, Donald Trump, të premten tha se SHBA ka mbledhur informacione për njeriun që e pasoi Bagdadin pasi u vra nga forcat amerikane.

“ISIS (DEASH) ka një drejtues të ri. Ne e dimë saktësisht kush është”, shkroi Trump në Twitter.

Por shumë pak informacion është i disponueshëm publikisht për al-Qurayshin dhe vetë emri duket se është i epitetit ‘kunya’ ose një emër i supozuar.

– Mungesa e tokës së vet, telashi më i madh për DEASH-in

Megjithatë, Büyükkara shton se DEASH po mbron legjitimitetin e pretendimit të tij për të ashtuquajturën kalifat kundër organizatave rivale xhihadiste apo islamiste, duke pretenduar tokë dhe shtetësinë e vet.

Tani grupit terrorist i mungojnë të dyja, thotë Büyükkara, duke shtuar se në të vërtetë ka humbur legjitimitetin e tij sipas ligjit të Sheriatit Islam.

Në këto rrethana, sipas Büyükkara, ‘emirët’ lokalë, të cilët kryesojnë grupe gjysmë-autonome në zona që DEASH u referohet si ‘vilajet’ apo ‘provinca’ të saj, si dhe udhëheqësit e tjerë të lartë mund të kenë dyshime në lidhje me udhëheqjen e Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi.

“Në periudhën e ardhshme, DEASH me gjasë mund të përballet me konflikte brenda-organizative më shumë se më parë”, thotë Büyükkara, duke theksuar se emri i organizatës po ashtu mund të çojë në debate dhe polemika midis anëtarëve të saj.

“Mund të ketë edhe nga ata që propozojnë të ndryshojnë emrin e organizatës”, shton ai.

Büyükkara pret që qendra e organizatës në epokën e re të jetë në Irak dhe Siri, pasi vazhdon situata e brishtë politike në këto rajone.

“Antagonizmat e tanishëm sektarë, veçanërisht në Irak, janë aq të forta si në kohën kur u shfaq DEASH”, shprehet ai, duke shtuar se prania e talebanëve do të parandalojë DEASH-in të rivendosjen në Afganistan.

– Pretendimet e grupit terrorist për “Kalifat” dhe “Shtet”

Elementi më i rëndësishëm që e bën DEASH-in të ndryshëm nga al-Kaida është theksi i tij në konceptet e “Kalifatit” dhe “Shtetit”, thotë Hilmi Demir nga Universiteti TOBB i Ekonomisë dhe Teknologjisë në Ankara, një ekspert për radikalizmin, salafizmin, konflikteve sektare dhe DEASH-it.

Bagdadi, emri i vërtetë i të cilit ishte Ibrahim Awwad Ibrahim al-Badri, më 29 qershor të vitit 2014 njoftoi krijimin e të ashtuquajturit kalifat në Siri dhe Irak gjatë një predikimi në Xhaminë e Madhe Al-Nuri të Mosulit.

Gjatë predikimit, ai emrin e tij e deklaroi si Abu Bakr al-Bagdadi al-Husseini al-Qurayshi.

“Kjo ishte një referencë për paradigmën politike suni dhe pikëpamjen e përbashkët midis arabëve se kalifi duhet të jetë fisi Quraysh i profetit Muhammed”, thekson Demir.

Demir thekson se organizata duke emëruar udhëheqësin e saj të ri Abu Ibrahim al-Hashimi al- Qurayshi tregon se DEASH do të vazhdojë simbolikën dhe pretendimet ideologjike.

“Organizata synon të konsolidojë militantët e saj duke emëruar një kalif të ri pas vdekjes së Bagdadit”, thotë ai.

Bagdadi ishte objektivi kryesor për administratën e presidentit Trump dhe të ish-presidentit Barack Obama, ndërsa për kokën e tij kishte një dhuratë prej 25 milionë dollarësh.

Pasi koalicioni i udhëhequr nga SHBA i mori territoret dikur nën kontrollin e grupit terrorist, Bagdadi gjithnjë e më shumë qëndroi nën hije, duke lëshuar rrallë audio mesazhe për ndjekësit e tij.

– Struktura “me shumë koka” e grupit terrorist

Vdekja e Bagdadit ka një vlerë simbolike për grupin terrorist në një farë mase, thotë Bariş Çağlar për AA, një ndihmës profesor në Departamentin e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin MEF në Stamboll.

Duke theksuar se Bagdadi ishte një udhëheqës që frymëzonte përkrahësit e tij dhe u ofronte atyre një ndjenjë të sigurisë, Çağlar thotë se vdekja e tij nënkupton fundin e figurës së lartë për grupin e kultit.

Megjithatë, sipas akademikut, grupi ka një strukturë “me shumë koka” përsa i përket modelit të tij sociologjik.

Edhe pse vdekja e Bagdadit është një faktor që çon në pasiguri brenda grupit dhe ndikon negativisht në motivimin e anëtarëve të grupit, thotë Çağlar, udhëheqësi i ri tashmë është njoftuar.

Siç thotë ai, shpallja e menjëhershme e udhëheqësit të ri është po aq e jashtëzakonshme sa vdekja e Bagdadit.

Ideologjia e DEASH-it dhe rëndësia e saj strategjike e dallon atë nga një organizatë klasike terroriste, thotë ai.

Duke theksuar se grupi është i vendosur të vazhdojë pretendimin e tij për kalifatin, Çağlar thekson se megjithëse grupi duke përfaqësuar ideologjinë e tij mund të ndryshojë, ai mbetet pothuajse i njëjtë për sa i përket thelbit, ideologjisë dhe qëllimit të tij.