“Dhuna e patolerueshme”, mjekët e QSUT dhe ato të Shkodrës në protestë

Mjekët specializantë janë mbledhur sot para urgjencës së QSUT-së dhe ato të Shkodrës në shenjë proteste kundër dhunës së ushtruar ndaj bluzave të bardha. Atyre në këtë protestë sensibilizuese u janë bashkuar edhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë.

Mjekët specializantë janë mbledhur sot para urgjencës së QSUT-së në shenjë proteste kundër dhunës së ushtruar ndaj bluzave të bardha. Atyre në këtë protestë sensibilizuese u janë bashkuar edhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Jam këtu për të protestuar krah mjekëve sepse për ne është e papranueshme dhuna ndaj bluzave të bardha! Nuk është dhuna zgjidhja. Ne jemi të vendosur dhe krah mjekëve për t’i mbrojtur ata”, u shpreh zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.

Më tej ajo theksoi se Ministria e Shëndetësisë do të marrë të gjitha masat për të ndryshuar këtë situatë.

Duke theksuar nismën e Ministres për ndryshimin e kodit penal, Rakacolli tha se, ”nisma e ndërmarrë nga ministrja Manastirliu për ashpërsimin e masave për dhunuesit e mjekëve – për ndryshimin e kodit penal që i vendos një mbrojtje të posaçme bluzave të bardha, është një tjetër masë në drejtim të mbrojtjes së mjekëve. Por edhe riorganizimi i shërbimit të sigurisë nga çdo spital do të jetë një masë e shtuar”, u shpreh Zv/ Ministrja.

Në fund, zv/Ministrja e Shëndetësisë ftoi qytetarët të denoncojnë çdo rast abuziv.

”Si ministri jemi pa dyshim dhe në krah të qytetarëve dhe i nxisim të denoncojnë dhunën. Dhuna ndaj mjekëve, është e papranueshme dhe e dënueshme”, tha Rakacolli.

Mjekët e spitalit rajonal të Shkodrës kanë dalë në një protestë sensibilizuese, duke bërë thirrje për kushte më të mira pune, si edhe kërkojnë të ashpërsohen ligji kundër dhunuesve të bluzave të bardha.

“Të gjithë duhet ta mirëkuptojnë punën tonë. Nuk është e vërtetë se kemi paga aq të larta. Ndaj nesh ka nisur një fushatë shpifjesh që duhet të ndalet. Ne nuk mundet te heshtim dhe vetëm përmes protestave do të kërkojmë edhe ne të drejtat tona. Nuk mund te lejojmë as dhunën dhe asgjë të këtij lloji. Mos të harrojmë se në 1997 të gjithë u dorëzuan dhe vetëm mjeket qëndruan. Duhet që të ashpërsohet ligji ndaj dhunuesve dhe kjo thirrje shkon edhe për Parlamentin ashtu siç e ka kërkuar edhe ministrja”, shprehen ata.