Deputetët e Listës Serbe protestojnë në Kuvendin e Kosovës, kërkojnë takim me Hahn

"Qëllimi i takimit tonë me Hahn është ta informojmë për zhvillimet negative në terren që nga koha kur Qeveria e Kosovës solli këtë vendim të turpshëm dhe rriti taksën me 100 për qind", tha Simiç

Nëntë deputetë të Listës Serbe prej sot protestojnë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës për shkak të vendosjes së taksës prej 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina dhe kërkojnë që Komisioneri Evropian Johannes Hahn t’i takojë ata nesër gjatë vizitës së tij në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Deputeti Igor Simiç tha se deputetët serbë protestojnë në mënyrë paqësore dhe demokratike dhe kanë vetëm një kërkesë politike për t’u takuar me Komisionerin Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn gjatë vizitës së tij nesër në Prishtinë.

“Qëllimi i takimit tonë me Hahn është ta informojmë për zhvillimet negative në terren që nga koha kur Qeveria e Kosovës solli këtë vendim të turpshëm dhe rriti taksën me 100 për qind dhe kjo do të thotë rrezikim i jetës normale së qytetarëve serbë dhe shqiptarë”, tha Simiç në konferencë për gazetarët.

Ai tha se përveç mungesës së barnave dhe ushqimit në zonat serbe që furnizohen kryesisht nga Serbia, tashmë dhjetë ditë në Kosovë nuk vjen as shtypi. Simiç shton se distribuesit edhe pse kanë dashur të paguajnë këtë taksë, ishin të ndaluar të sjellin shtypin në Kosovë.

Simiç gjithashtu vuri në dukje se një grup i grave që tentoi të sjellë ndihmë humanitare është kthyer prapa sot nga kalimi i Jarinjes në veri të Kosovës, edhe pse Qeveria e Kosovës tha se taksa nuk është aplikuar për ndihmën humanitare. Simiç theksoi se deputetët e Listës Serbe do të mbeten në Kuvendin e Kosovës sonte dhe nesër, derisa Hahn të takohet me ta.

“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe znj. Apostolova (Shefja e Zyrës së BE-së). Ne i kemi kuptuar të gjitha mesazhet që na kanë dërguar, por ne mbetemi të vendosur në kërkesën tonë për t’u takuar me z.Hahn, sepse situata politike është e tillë që nesër mund të përshkallëzohet dhe ne duam që të gjithë në BE të dinë se ata gjithashtu mbajnë përgjegjësi për atë që po ndodh, sepse ata duhej të reagonin para 15 ose 20 ditëve kur u vendos taksa prej 10 për qind, dhe sidomos kur ajo u ngrit me 100 për qind”, tha Simiç.

Vizita e Eurokomisarit Hahn në Prishtinë është planifikuar për nesër, gjatë të cilës ai do të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarin e Parlamentit Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Nga Komisioni Evropian kanë njoftuar se komisioneri Hahn me zyrtarët e Kosovës do të diskutojë, ndër të tjera, rreth taksës ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.