Dëmet nga tërmeti, ekspertët vendosin mbylljen e spitalit të Laçit

Ekspertët kanë vlerësuar se një pjesë e godinës së spitalit të Laçit është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe për këtë arsye ndërtesa duhet të boshatiset. Ata kanë vendosur shiritat në godinën e spitalit, ndërkohë që stafi mjekësor ka nisur nxjerrjen e të sëmurëve dhe pajisjeve jashtë, transmeton A2News.

Nga të dhënat paraprake, ende nuk bëhet e ditur nëse godina ka pësuar dëmtime të pariparueshme, apo ka nevojë për ndërhyrje. Për këtë do të duhen verifikime të tjera nga grupe më të specializuara.

Ndërkohë, bëhet e ditur që një pjesë e të sëmurëve që janë në spitalin e Laçit do të transferohen në spitalin e Lezhës dhe të tjerë në spitalin e Tiranës.

Ndërsa Drejtoria e spitalit të Laçit ka njoftuar se ky spital do të mbajë në funksion shërbimin e urgjencës, për dhënien e ndihmës së parë. Për këtë arsye në oborrin e spitalit janë ngritur disa çadra, ku do të asistojnë edhe grupe vullnetare për shërbimet mjekësore.