Deklarata kundër shqiptarëve e ministrit britanik, Ministria e Jashtme: Shmangni gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimit

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme kërkon shmangien e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit dhe vijimin e dialogut edhe bashkëpunimit konstruktiv me Britaninë e Madhe, pas deklaratës së ministrit të emigracionit, Robert Jenrick.

Ministria bën me dije se Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King Smith i është dorëzuar sot paradite një Notë Verbale, duke paraqitur shqetësimin për deklaratën më të fundit me gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ministri britanik.

“Në përgjigje të interesimit të mediave, Drejtoria e Diplomacisë Publike dhe Diaspores në MEPJ bën me dije se Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King Smith i është dorëzuar sot paradite një Notë Verbale në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Përmes kësaj Note, MEPJ paraqiti shqetësimin për deklaratën më të fundit me gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e Ministrit të Shtetit për Imigrimin Robert Jenrick. MEPJ theksoi se kjo retorikë e përsëritur cenon frymën pozitive të bashkëpunimit bilateral të konfirmuar në Deklaratën e Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit Britanik Rishi Sunak, në të cilën ndër të tjera ndahet vlerësimi i përbashkët për rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme kërkon shmangien e kësaj gjuhe urrejtjeje dhe diskriminimi dhe vijimin e dialogut edhe bashkëpunimit konstruktiv për të vënë në jetë angazhimet e ndërmarra së bashku si dy vende demokratike, partnere e aleate në organizmat ndërkombëtare.
Të vendet tona janë angazhuar përmes Deklaratës së Përbashkët që të nxisin më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit në një game të gjerë fushash me fokus rininë, inovacionin, turizmin, arsimin dhe investimet strategjike të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri”, njoftimi i plotë.

Gjatë deklaratës së tij, Jenrick e vendosi theksin te gjuetia e gjetjes së emigrantëve shqiptarë, ndalimi e më pas deportimi i tyre nga UK Border Agecency, Agjencia Britanike e Kufirit.

Ky deklarim i ministrit Jenrick, është bërë në momentin kur 43 shqiptarë, mes tyre emigrantë ilegalë dhe disa të tjerë që kishin mbaruar dënimet në burgjet angleze, po dëboheshin drejt Tiranës.