Dehumanizimi bie jo mbi viktimat, por mbi ata që heshtin

Nga Redi Shehu

Ekziston një pikë ku racionalja tretet në humnerën e të palogjikshmes. Është pika kur mendon se e drejta dhe lumturia jote mund të ndërtohet mbi fatkeqësinë e tjetrit. Në fakt, e gjithë sfida qëndron pikërisht tek përcaktimi se kush qëndron në anën e së vërtetës. E fatkeqësisht, kjo kurrë nuk duket se do të ndodhë për sa kohë irracionalja do të pushtojë terrene gjithnjë e më të mëdha.“Mund të luftosh pushtimin, por nuk mund të luftosh ndjesinë e pafuqisë”– citon një palestineze Noam Chomsky në esene e tij Mbresa nga Gaza”. Është e vërtetë,  pafuqia është pikërisht pika ku racionalja tretet në humnerën e të palogjikshmes.Triumfin e irracionales në lidhje me çështjen palestineze, e pat paralajmëruar mediatori i OKB-së Count Folke Bernadotte që në vitin 1948, ku ai thoshte: ”Do të ishte një fyerje për drejtësinë elementare, nëse këtyre viktimave të pafajshme (palestinezëve) të këtij konflikti, t’u mohohet e drejta për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, ndërkohë që emigrantët hebre fluturojnë  drejt Palestinës”. Pasi kompletoi raportin e tij me rekomandime për Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në Paris, më 17 Shtator të po atij viti, ai u vra nga grupi i njohur terrorist zionist “Stern Gang”.

Ekzistencë për rezistencë

Irracionalja kërkon ta legjitimojë veten bazuar mbi narrativën e një populli homogjen racor dhe kombëtar hebre i cili erdhi për t’u vendosur në një tokë pa popull. Në fakt, këtë e kundërshton Shlomo Sand profesor i Universitetit të Tel Avivit i cili në librin e tij “Shpikja  e popullit hebre”, argumenton shkencërisht se nuk ka pasur një popullsi hebreje të nxjerrë nga tokat e saja, por masa e madhe e racave dhe etnive të ndryshme hebreje ne botë, bazohet në konvertimet e komuniteteve lokale në ato vende dhe jo në idene e një race kombëtare hebreje me një origjinë të përbashkët. Për më tepër, ideja e përzënies së hebrenjve sipas Sand, është totalisht e pavërtetë, sepse këtë nuk e bënë as romakët, as të fundit arabët në shekullin e 7-të, ku pjesë e madhe e hebrenjve të asaj kohe, u konvertuan vetë në myslimanë, dhe përsëri sipas Shlomos, këta të konvertuar janë paraardhësit e palestinezëve të sotëm. Me pak fjalë, zionistët izraelitë po vrasin dhe po masakrojnë askënd më shumë se sa kushërinjtë e tyre nga historia. 

Historiografia zioniste e ka themeluar doktrinën e saj në boshllëkun territorial të Palestinës dhe se ardhja e hebrenjve atje, vetëm se e ka zhvilluar dhe urbanizuar atë djerrinë. Një tjetër personalitet hebre i historisë si Ilan Pape, na mëson se si Palestina jo vetëm që ka qenë e populluar dhe aspak e djerrë, por ka pasur një civilizim vibrant, aq sa citon se librat shkruheshin në Egjipt, printoheshin në Liban dhe lexoheshin në Jaffa (Palestinë). Viti 1948 shënon pikërisht prishjen e kësaj shoqërie vibrante, organike palestineze e kulturës së leximit e cila kishte ndikuar shumë në qytetërimin e Irakut, Libanit dhe Jordanisë. Dhe nëse sot ka  komunitete të tëra refugjatësh palestinezë, sipas dokumenteve të deklasifikuara të viteve ’80 të publikuara nga Britania, kjo ka ndodhur si pasojë e spastrimit etnik para e pas viteve 1948, ku më shumë se gjysma e popullsisë palestineze rreth 750 mijë u dëbuan si refugjatë, duke shënuar themelimin e shtetit të Izraelit po në këtë vit, mbi trupat e vrarë dhe dëbuar palestinezë. Nga 1948 deri në 1967 u spastruan 36 qytete brënda Izraelit. Gjatë luftës së 1967-tës u spastruan mbi 300 mijë vendas palestinezë, dhe nga 1967 e deri më sot edhe 500 mijë të tjerë të dëbuar. Për të arritur së fundmi në 2023-2024 me tentativën e spastrimit të 2.3 milione banorëve të Gazës, duke shënuar operacionin më të gjatë gjenocidal të një popullsie përgjatë historisë tonë moderne në sytë e të gjithëve. Pra, ai që sot e quan veten shteti zionist i Izraelit, nuk është gjë tjetër veçse një projekt  i cili zanafilloi nga terrori i grupeve si Haganah, Stern Gang, Irgun nga vitet 1920 deri në vitet 1948 me asistencën e David Ben Gurion, Menachem Begin,Yitzhak Rabin, Moshe Dayan apo Ariel Sharon të cilët më vone u bënë baballarët themelues të Izraelit. Problemin më të madh ky i fundit nuk e ka me palestinezët por me irracionalitetin kriminal të vetin që e rrethon kudo.

Në Gaza sot, në një formë ciklike të rutinës, po konsumohet irracionalja në emër  të një të “drejte” e transportuar në mënyre histerike nga historia. Një e drejtë e humbur sipas librave të shenjtë dhe një e drejtë po ashtu e humbur sipas librave të sotme. Sepse, thelbi i vetë të drejtës është vazhdimisht i mbështetur mbi vlera humane, dhe kur ky proçes pushon së ekzistuari, atëhere kuptimi i vetë të drejtës humb. Ndaj, edhe e drejta e Izraelit nuk është e drejtë sepse është dehumanizuar, ka humbur thelbin e vet, dhe ajo çka mbetet është vetëm histeria zioniste e një grupi njerëzish, të cilët tresin përditë e më shumë racionalen në humnerat e të palogjikshmes. Në Gaza, në Palestinë, nëpër shumë Gaza të tjera në botë konsumohet irracionalja në emër të të vërtetës, dhe përsëri brenga më e madhe përplaset jo me vetë luftën por me pafuqinë. Vërtet, ne sorollatemi në pafuqinë tonë për ta shfronësuar të vërtetën nga piedestalet e arrogantëve, mëndjemëdhenjve dhe kriminelëve.

“Dhunë e civilizuar”

Që nga mesjeta, ajo që sot quhet “bota e qytetëruar” nuk ka qenë dëshmitare aq shumë sa sot e grabitjes së vendeve të shenjta përmes gjenocidit ndaj një popullsie të tërë me besim të ndryshëm. Ashtu si të gjitha kolonizimet e bëra, edhe ky i zionistëve, të përbashkët ka proçesin e dehumanizimit të vendasve. Që ta eleminosh një popullsi të tërë ne emër të qytetërimit, të duhet një  “justifikim moral” se pse po e bën këtë, dhe që ky justifikim të të vlejë, duhet bazuar në idenë e një popullsie vendase të zhveshur nga njerëzorja. Vetëm kështu merr kuptim dhuna dhe krimi ndaj një mase e cila nuk të penalizon moralisht për shkak se ata nuk gëzojnë atribute njerëzore, janë të pacivilizuar dhe si e tillë, i vetmi mjet që të rehaton moralisht ndaj këtyre krijesave, është “dhuna e civilizuar” me të gjithë arsenalin e saj. Talal Asad, profesor i New York University përdor termin “dhunë e civilizuar” e fuqizuar nga luftra të cilat për shkak se fillohen nga fuqitë perëndimore marrin konotacionet e luftës si dhunë e civilizuar edhe pse ajo i drejtohet kundër një shteti tjeter sovran. Në Palestinë përveç “dhunës së civilizuar”, ajo që më së shumti u pa në nivelin e elitave ndërkombëtare, ishte “indiferenca e civilizuar” perëndimore që rezultoi me pasoja më shkatërruese se “dhuna e civilizuar” zioniste. Gaza është akt-akuza më e drejtpërdrejtë firmosur me bojën e gjakut të atyre që të vetmin faj që kishin, ishte dëshira për të qenë të lire, së cilës përballë iu vendos indiferenca e civilizuar. Palestina është pika ku dhuna dhe indiferenca takohen, e për më tepër është pika ku dhuna dhe indiferenca i japin forcë njëra-tjetrës. 

Në ndryshim nga kolonizimet e tjera, ky i Palestinës mbart dy veçori të cilat përmblidhen në faktin e ekzistencës së vendit të shenjtë dhe faktit së është dehumanizimi më i dokumentuar që vazhdon sot e kësaj dite. E veçanta është se dehumanizmi për zionistët nuk nëkupton të jesh si kafshët, sepse kafshët nuk i vret teksa ushqehen, por më poshtë se kaq, mundësisht në një shkallë inferioriteti e cila të çon deri aty sa foshnja të mos ketë oksigjen në spital, nëna të mos lindë barrën e saj, babai të tejshpohet me plumba teksa merr pak miell për familjen, dhe ku jeta të humbë kuptimin e saj. Problemi është se, kur interesat e kërkojnë, përdoret “dhuna e civilizuar” me pretekstin për të çuar demokracinë, për të shpëtuar vlerat njerëzore, për të shpëtuar popujt nga shtypja dhe zgjedha e të paudhëve, paçka se miliona janë viktimat, paçka se zhvatja e pasurive kombëtare të popujve nën dhunën e civilizuar vazhdon të shterrohet. Ndërsa kur po interesat e kërkojnë, në një situatë tjetër, aplikohet “indiferenca e civilizuar” paçka se qindramijëra janë viktimat, miliona të shpërngulurit, paçka se qytetet thjesht nuk ekzistojnë më. Në të gjithë këto histori nuk ka asgjë të civilizuar.  E vetmja gjë e duhur është kapja pas së vërtetës dhe reagimi sipas kritereve të saj, edhe nëse disa popuj nuk na duken si disa të tjerë, përsëri ata meritojnë të vetmen gjë të civilizuar, dashurinë.

“Superioritetit hebre” i ngritur dhe i marketuar nga vetë hebrenjtë është në qëndër të proçesit të dehumanizmit të popujve të tjerë me qëllim privatizimin e shenjtërisë në funksion të vetvetes. I paketuar me sloganin  “e vetmja demokraci në Lindjen e Mesme”, ky superioritet jo vetëm që nuk i preku kufinjtë e një demokracie të vërtetë, por u transformua në “etnokraci” një sistem që dukshëm shpërfaqte me të gjitha elementët vet “dhunën e civilizuar” ndaj tjetrit etnikisht. Këtë, duke e shtrirë sa më shumë në kohë. Pra, me idenë se sa më gjatë të zgjasë një padrejtësi aq më shumë legalizohet ajo. 

Konflikti ka natyrë fetare

Por, si është e mundur që të ndërtohet një superioritet i tillë i mbështetur nga elitat politike të Perëndimit ? Çfarë ka ndodhur me faktin që një padrejtësi kaq e hapur dhe e shtrirë në kohë të verbojë sytë e rojtarëve të të drejtave universale të njeriut? 

Që me Reformën Protestante të shekullit të 16-17-të, mbështetja e të krishterëve protestantë për të ashtuquajturin “rikthimin” hebre filloi gradualisht të zërë vend në puritanizmin anglez, duke ndërtuar prototipin e një të krishteri zionist si identiet politiko-fetar. Në thelbin e vet ky identitet, në qasjen e tij eskatologjike, pranon formimin e një shteti hebre duke grumbulluar të gjithë hebrenjtë nga e gjithë bota në tokat e Palestinës, e pastaj me përmbushjen e fazës së parë, që profecia biblike të plotësohet, në fazën e dytë duhet që të gjithë hebrenjtë të braktisin hebraizmin dhe të përqafojnë krishtërimin, vetëm kështu kthimi i dytë i Jezusit do të bëhej i mundur. Nga ana tjetër, zionistët hebre, në ndryshim nga ato të krishterë, e kanë parë mbështëtjen protestante si trampolinë për të masivizuar dhe dendësuar “bashkimin hebre” rreth malit te Zionit dhe rrethinat e tij (Palestina) deri sa të bëhet e mundur ardhja e Mesias hebre, nga ku do të mbretërohet e gjithë bota deri në përfundim të kohës. Pra, një aleancë për të mbërritur në një fund të njëjtë por me version eskatologjik të ndryshëm kur bie fjala në profilin e ardhjes së “shpëtimtarit”.

Që në vitin e largët 1615, puritanistët anglezë si Thomas Brightman, Oliver Cromwell etj, ngrinin çështjen e kthimit të hebrenjve në Jeruzalem? Për të ardhur pastaj tek Lord Ashley në mesin e shekullit të 19-të i cili futi në agjendën politike, kthimin e hebrenjve në Palestinën osmane. Zionizmi i krishterë vazhdoi të ketë influencën e vet edhe në Amerikë ku Martin Luther King haptazi ishte mbështetës i zionizmit dhe krijimit të shtetit të Izraelit. Ndryshe qëndron situata me botën katolike, e cila ruan një qëndrim më të distancuar nga plani zionist. Ky qëndrim daton që në vitin 1904 kur Papa Piu X ia mohonte mbështetjen e Kishës Katolike, Theodor Herzlit, i cili kishte ardhur për të kërkuar aprovimin e tij. Në fakt, kjo vijë ndarëse horizontale që ndan mbështetjen protestante me distancimin katolik, na shfaqet edhe sot në reagimet popullore ndaj asaj që po ndodh në Palesinë e veçanërisht në Gaza, si dhe në faktin që shtete të BE si Irlanda, Spanja, Malta, Sllovenia etj, kanë krijuar koalicionin e “të vullnetshmëve” dhe kanë ftuar edhe shtete të tjera anëtare për të njohur shtetin e Palestinës, akt që u kurorëzua me njohjen e Palestinës nga Spanja, Irlanda dhe Norvegjia.

Përse veçanërisht në SHBA zionistët gëzojnë mbështetjen më të madhe? Përgjigjet për pyetje të tilla na e jep një studim i Pew Research Center i vitit 2013  i cili tregon se evangjelistët e bardhë amerikanë besojnë më shumë krahasuar me hebrenjtë amerikane se Izraeli i takon popullit hebre. Sipas studimit 39% e hebrenjve amerikane thonë se janë të lidhur emocionalisht me Izraelin, ndërkohë që nga po i njëjti studim, 82% e protestantëve evangjelistë të bardhë amerikane, thonë se Izraeli i është dhënë hebrenjve nga Zoti. Ndërkohë që studimi thekson se protestantët e bardhë evangjelistë amerikanë janë më pak optimistë se sa hebrenjtë amerikanë lidhur me zgjidhjen paqësore të konfliktit me dy shtete. Të pyetur nëse ka ndonjë mundësi që të ketë zgjidhje paqësore me dy shtete të pavarura, 42% e amerikanëve të bardhe evangjelistë thonë po, krahasuar me 61% të hebrenjve amerikanë që e pohojnë një mundësi të tillë. Pra, zionizmi i krishterë gjërësisht i përhapur në evangjelistët e bardhë amerikanë, është më imponues dhe ekstremist se vetë hebrenjtë amrerikanë, duke lënë shijen më shumë të një deformimi teologjik se sa bindjes së vetë hebrenjve për natyrën e konfliktit.

Distanca morale

Masakrat zioniste ndaj popullsisë palestineze në Gaza kanë kapur caqet e rekordeve historike të perversitetit. Kaq e gjallë është masakra, saqë ajo për shkak të smartfonëve të secilit është futur thelle dhe me rezolucion të lartë në mendjet e njerëzve nga njëri cep i globit tek tjetri. Por megjithë këtë, masakrat edhe pse të përjetuara në këtë formë, nuk shkaktuan një  tronditje dhe reagim të menjëhershëm pozitiv në elitat e politikës ndërkombëtare. Zygmunt Bauman, një ndër sociologët dhe filozofët më të famshëm në botë ka folur rreth “distancës morale” ne veprën e tij “Moderniteti dhe Holokausti” duke argumentuar se çfarë do të thotë ajo. Ai shprehet se:” është e vështirë të dëmtosh një person që ne e prekim. është disi më e lehtë të shkaktojmë dhimbje ndaj një personi që ne vetëm e shohim në distancë, është akoma më e lehtë ndaj një personi që vetëm e dëgjojmë, dhe është krejtësisht e lehtë për të qenë mizor ndaj një personi që as e shohim dhe as e dëgjojmë”. Kjo çon, sipas Bauman, në “padukshmërinë e humanitetit të viktimës”. Koncepti i distancës morale shpjegon se si individë, komunitete, establishmente bile dhe shtete të tëra mund të sillën në formë jo etike edhe kundra parimeve dhe vlerave të cilat ata prentendojnë se i mbrojnë. Kjo distancë morale ka nevoje për distancën fizike që të plotësojë mizorinë e saj. E ku më shumë se sa në Modernizëm, me zhvillimin e teknologjisë, distanca mes njerëzve rritet në mënyrë konstante dhe të pandalshme?  “Rritja e distancës fizike – vazhdon Bauman- mes aktit dhe pasojave te tij, shpërbën domethënien morale të vetë aktit” gjë që shtyn autorët e saj të veprojnë kundër vetë principeve të tyre. Kjo logjikë, ka çuar në atë se është më e vështirë të vrasësh dikë që e ke përballë, ama me një buton mund të zhdukësh mijëra vetë të cilët ndodhen larg teje, pikërisht për shkak të “distancës morale” mes tyre. Shembulli më i kobshëm është lëshimi i bombës atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, por edhe mijëra bombave të tjera me pasoja shkatërruese.

Në Gaza, po ndodh një fenomen tjetër. Edhe pse distanca fizike me popullin e Gazës është asgjesuar për shkak të raportimeve “live” të gjenocidit në çdo detaj, “distanca morale” ngelet e pandryshuar. Pra, edhe pse vuajtjet e grave dhe femijëve janë krejt afër ndërgjegjes tonë, përsëri vrasja masive e tyre nuk ka nevojë për lehtësinë e distancës. Sa më shumë “distanca morale” e burrave, grave dhe fëmijëve të Gazës me popujt e botës ngushtohet, aq më e largët kjo distancë bëhet mes elitave politike dhe realitetit palestinez. Kjo, për shkak se këta të fundit, po ndërtojnë një lloj hibridi të moralit publik i cili nuk ka nevojë për distancë që të rehatohet me krimin. Mjafton ta dehumanizojë tjetrin në skaj duke legjitimuar kështu në mënyrë autentike çdo poshtërsi pa pasur nevojën e një distance për ta bërë këtë. E kur është kështu atëhere, prezenca e fakteve dhe provave makabre pranë nesh më shumë se kurrë,  zëvendëson “distancën morale” me “afërsinë perverse” të krimit gjakftohtë. Pra, sot mund të vrasësh këdo, dhe sa do,  pa pasur nevojë të jesh larg tyre, mjafton ta normalizosh perversitetin duke qenë sa më afër tij.

Hipokrizia dehumanizon autorët e saj

Hipokrizia nuk është më thjesht një narrativë, ajo përherë e më tepër po shndërrohet në institucionin me të cilin kombet “superiore” ndërtojnë marrëdhëniet me ato “inferioret”. Procesi i dehumanizimit të vendasve ka nevojë për një narrativë hipokrite e cila do ta bënte këtë proçes të pranueshëm dhe të kuptuarit e kësaj hipokrizie bëhet vetëm duke kontekstualizuar ngjarjet. Imagjinoni sikur grupe të armatosura ukrainase do të kalonin kufirin e fortifikuar rus, disa me forca tokësore dhe disa me paralighting. Do të merrnin nën kontroll një numër qendrash të banuara, baza ushtarake dhe stacione policie duke vrare qindra syresh. Do të lëshonin mijëra raketa në drejtim te Moskës. Do të kapnin dhe 250 robër rusë e do të ktheheshin në Ukrainë nga e cila do t’i kërkonin Rusisë që në këmbim të robërve të tërheqë forcat e ushtarake nga territoret e pushtuara ukrainase. Më thoni se cili do ishte reagimi i komunitetit ndërkombëtar? Padyshim që do të quhej një akt heroizmi. Një betejë legjitime për mbrojtjen e vendit nga pushtimi 2 vjeçar rus i Ukrainës. 

Për më tepër, kur Ukraina vetëm në një kohë të shkurtër u bë paralelja e Gazës, pa energji dhe ngrohje, i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe lidershipi i BE-së e quajti “akt i pastër terrori”, ndërkohë që asfiksimi biologjik i Gazës për 17 vite pa asnjë parametër jetësor, konsiderohet si një ngjarje aksidentale, ndërsa gjenocidi zionist 75 vjeçar ndaj Palestinës konsiderohet si “ngjarje historike”. Kur dronët ukrainas shkonin te godisnin deri në Moskë, reklamohej në të gjitha mediat ndërkombëtare si rezistenca legjitime ukrainase. Kur një hebre nga cepi më i largët i botës kërkon të banojë në Izrael nën të ashtuquajturën “e drejtë e rikthimit” i jepet menjëherë shtetësia dhe ka liri lëvizjeje kudo. Një palestinezi i cili është autokton në tokën e tij nuk i lejohet të dalë nga qyteti i tij drejt një qytetit tjetër. Në kohën që në Kanada apo në të gjithë Perëndimin ka një ligj në të cilin nuk mund të mohosh holokaustin, në Izrael me ligj nuk mund të përmendësh “Nakba”-n, gjenocidin e vitit 1948 ndaj palestinezëve. Imagjinoni sikur gjërat të ishin krejt në krahun e kundërt, hebrenjtë të ishin asfiksuar prej 17 vitesh në Gaza dhe të shfaroseshin në Bregun Perëndimor nga palestinezët, cili do ishte artikulimi i ndërkombëtarëve për situatën? A do mohonte Biden armëpushimin? A do shkonte ti ofronte Egjiptit miliona dollarë që ti mbante hebrenjtë në Sinai që Gaza t’u mbetej palestinezëve?

Hipokrizia kthehet në institucion kur bie fjala për Palestinën dhe palestinezët, ajo është e tillë edhe kur flitet për të drejtën e popujve arabë për demokraci, e tillë ishte hipokrizia në raportet e saj me pranverën arabe. Kur në vitin 2006 u bënë zgjedhjet e para demokratike në Palestinë të çertifikuara nga organizmat ndërkombëtarë, Sh.B.A dhe Izraeli ndërhynë ushtarakisht përmes levave te tyre dhe shpërndanë me forcë këshillin e ministrave, parlamentin dhe të gjitha institucionet e reja demokratike të ngritura nga vullneti popullor i palestinezëve, sepse kjo nuk i shkonte për shtat planit të spastrimit të territoreve palestineze nga Izraeli. Kur në vitin 2012 u zhvilluan zgjedhjet demokratike në Egjipt të çertifikuara nga të gjitha organizmat ndërkombëtarë, Izraeli në bashkëpunim me të gjithë faktorin ndërkombëtar, u mobilizuan për të rrëzuar qeverinë demokratike duke ndezur revolta të sponsorizuara në vitin 2013 që përfunduan në masakra ndaj popullsisë civile. Kjo, sepse donin t’i linin Izraelit një fqinj nën pushtetin e njerëzve të shitur dhe jo atyre të zgjedhurve demokratikisht në mënyrë që gjenocidi dhe spastrimi etnik 75 vjeçar të vazhdonte pa probleme.

Nuk mundet një qenie njerëzore t’ia bëjë këtë një qenieje tjetër njerëzore siç po vepron Izraeli, vetëm nëse e dehumanizon atë dhe e shndërron në bindje këtë dehumanizim. Mosveprimi i fuqive të mëdha në raport me masakrën dhe gjenocidin më të madh dhe më të dokumentuar të historisë tonë moderne, tregon se procesi i dehumanizimit nuk ka rënë mbi viktimat por mbi ata që heshtin. Nuk mundet një qënie njerëzore të mos veprojë ndaj masakrave të tilla drejtuar një qenieje tjetër njerëzore vetëm nëse janë zhveshur nga njerëzorja dhe ndjenjat që e shoqërojnë atë. E në raste të tilla duhet hipokrizia, bile hipokrizia e shndërruar në institucion ndërkombëtar për të ndërtuar alibinë e shëmtuar të gjoja ruajtjes së vlerave njerëzore. Këtu tashmë nuk bëhet fjalë për të drejtën e Izraelit për të ekzistuar”, por po bëhet fjalë për të drejtën e Izraelit për gjenocid. Debatet sot të habisin me pyetje të tilla si: “A po mbron Izraeli të drejtën e vet për të ekzistuar“? “A mundet që rregullat ndërkombëtare të shkelen në rastin kur është në lojë shteti i Izraelit”?, e të tjera si këto, ndërkohë që foshnjat viktima të Gazës të mbështjellura me qefinin e bardhë ia kanë kaluar numrit të kukullave që bashkëmoshatarët e tyre kanē nëpër botë. Ku gra e pleq, burra e të rinj, të gjymtuar fizikisht e moralisht në kërkim të mbijetesës, nuk përbëjnë shkelje të të drejtave të njeriut apo të konventave ndërkombëtare. Një gjë është e sigurtë, padrejtësia nuk gëzon kurrë veti të përhershme!