Degradimi i vetë krimit si akt

Nga Redi Shehu

Jetojmë në një kohë të çudirave të mëdha. Po po, jetojmë në kohën e çudirave të mëdha. Koka të prera, trupa grash të gjetura në kazanin e plehërave, masakrime ç’njerëzore dhe të shpeshta madje janë kthyer tashmë në një ritual gjoja zgjidhjeje papajtueshmërish. Kemi përjetuar këto dekadat e fundit ndoshta sagën më tragjike të krimeve të cilat janë shpërfaqur plot begenisje pa as më të voglin turpërim shoqëror apo frikë institucionale dhe jo vetëm kaq, por pa as më të voglin parametër moral. Vrasje në sy fëmijësh pesëvjeçarë, apo hajdutë që vrasin gra për një varëse në sy të fëmijëve të saj, vrasje vajzash të pafajshme për gjakmarrje teksa punojnë ne shtepite e tyre, dhe se fundmi nje personazh i cili per nje orë vret tre gra dhe plagos po aq me nje gjakftohtesi te frikshme. Copëtime e sakatime të konceptit të vetë krimit. Pyetja është se a thua ne bëjmë vetëm krime, apo shkojmë më tej? Pa dashur të spekulloj, por edhe vetë kryerja e një krimi ka një farë norme të kryerjes se tij, të paktën atë të mos përdhosjes së kufomës, tek ne kane arritur deri aty sa kane perdhosur edhe kufomat.

Problemi qëndron gjithmonë lidhur me moralin. Kemi probleme me moralin individual, kemi probleme me moralin shoqëror, kemi probleme me moralin e vetë lirisë dhe së fundmi kemi probleme edhe me “moralin” e vetë krimit. Ne nuk vrasim, ne përçudnojmë dhe kjo është e frikshme. Toleranca e madhe ndërkomunitare e jona e cila ekzaltohet në fjalimet apo edhe në jubilaret shpesh hipokrite te politikës sonë, tregon se nuk ka së pari bazamentin kryesor të saj, tolerancën brëndakomunitare. Njerëz që vrasin kaq shumë, kaq shpesh dhe kaq keq, si mundet të prodhojnë tolerancë kolektive. Kur nuk ruhet edhe një normë etike brënda vetë krimit, çfarë tolerance rrezatohet së jashtmi?

Shpesh kemi diskutuar rreth vrasjeve dhe vetëvrasjeve, po a nuk po e kuptojmë se diskutimet, analizat e opinionet tona tashme detyrohen të përballen me degradimin e vetë krimit si akt. Shëmbëllen sikur do të ishim të kënaqur thjesht me një krim normal, të zakontë. Me këtë situatë të tmerrshme përdhosjeje të kufomave dhe qënies njerëzore , thuajse të merr malli për thjesht një vrasje, të thjeshtë fare. Aman bre ju lutem vrisni thjesht. Po a ka më turp se kjo? Të mos jesh në gjëndje të parandalosh vrasjen por të merakosesh tashmë për estetikën e saj. Çfarë është kjo që na bën të jemi kaq të egjër me njëri-tjetrin dhe aq të butë e shpesh jargavitës me këdo jashtë nesh? Ç’është ky parametër?

Ne tashmë ndodhemi në situatën kur nuk ka amortizatorë socialë të cilët zbusin fenomenin. Religjioni është parë si atribut i një grupimi jashtë nesh, i formësuar si armiku i trashëguar prej dekadash, ndaj edhe zgjidhjet e tij nuk na shërbejnë. Arsimimi është thjesht fasadë, një përpjekje për një karton të vulosur por që pak ka ndikuar në rritjen e gradave të dijes. Për të mos thënë që qëndrat tona arsimore shpesh titullohen edhe si qëndra tregëtare. Familja? Cila familje? Ajo vetë tashmë është viktimë e krimit pa moral. Po shkërrmoqet përditë para syve tanë. Aftësia e saj edukuese ka rënë në nivelet më të ulëta historike dhe nga faktor tashmë është viktimë e vetë sistemit. Po institucionet? Po shoqëria civile? Po mediat?

Keto te fundit jane ne mos promotore, se paku jane te pafuqishme te ndryshojne realitetin, duke harruar funksionin e tyre edukues. Jane kthyer ne thjesht pasqyruese dhe perçuese te problemit. Vrasja dhe plagosja e fundit ne seri te disa grave nga nje person, tregoi pafuqine tone per te ndryshuar gjerat, nje pafuqi qe zanafillon nga humbja e sensit te mases dhe moralit. Gjërat vetem se do te perkeqesohen nese nuk angazhohemi jo vetem individualisht por edhe kolektivisht ne restaurimin e ndergjegjes se shendoshe shoqerore permes lidhjes se fijeve te keputara me shpirtin dhe çdo gjëje që e ushqen atë.