David Villa i bashkohet Iniesta-s në Japoni

"Erdhi koha. Kam një adresë të re. Shtet i ri, kulturë e re, shokë të rinj. Përshëndetje Japoni, përshëndetje Vissel Kobe"

Futbollisti spanjoll i New York City të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), David Villa, do të vazhdojë karrierën e tij në Japoni, transmeton Anadolu Agency (AA).

David Villa transferimin e tij në klubin e Ligës së Parë të Japonisë, Vissel Kobe, ku luajnë edhe Andres Iniesta dhe Lukas Podolski, e bëri të ditur nga rrjeti social.

Ai theksoi se pasi që t’i përfundojë kontrata me New York City më 31 dhjetor ai do të ndahet nga klubi. “Erdhi koha. Kam një adresë të re. Shtet i ri, kulturë e re, shokë të rinj. Përshëndetje Japoni, përshëndetje Vissel Kobe”, shkroi ai.

David Villa në vitin 2008 arriti të fitojë Kampionatin Evropian me kombëtaren e Spanjës, ndërsa në vitin 2010 edhe Kampionatin Botëror. Ai në kohën kur luante për Barcelonën kishte fituar edhe ligën dhe UEFA Ligën e Kampionëve.