DASH: Trafikimi i qenieve njerëzore në Shqipëri nuk është eliminuar sa duhet

Në raport thuhet se në dy vitet e fundit u dënuan vetëm 5 trafikantë, numër ky më i ulët që prej vitit 2014.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës publikoi në faqen e saj zyrtare raportin e plotë të Departamentit të Shtetit për Trafikimin e Qenieve Njerëzore.

Raporti i këtij viti vlerëson sërish se Shqipëria nuk ka arritur ende minimumin e standardeve për eliminimin e këtij trafiku pavarësisht përpjekjeve në rritje nga ana e qeverisë, krahasuar me një vit më parë.

Në raport thuhet se në dy vitet e fundit u dënuan vetëm 5 trafikantë, numër ky më i ulët që prej vitit 2014.

“Qeveria shqiptare ende nuk ka përmbushur standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje domethënëse. Qeveria tregoi rritje të përpjekjeve krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit, dhe për këtë arsye Shqipëria renditet në Nivelin 2. Këto përpjekje përfshijnë dënime për trafikantët me burg, duke identifikuar më shumë viktima dhe një trajnim për zyrtarët përkatës.

Qeveria, në bashkëpunim me shoqërinë civile, gjithashtu ngriti “Bordin Këshillues të Viktimave të Trafikimit”, që përbërë nga tre të mbijetuar dhe ka si synim rritjen e ndihmës për viktimat në procedurat penale duke krijuar “Qendrën e Zhvillimit për Drejtësi Penale për Të mitur”.

Gjatë viteve 2018 dhe 2019 u dënuan 5 trafikantë, numër ky shumë i ulët që prej vitit 2014”, shkruhet mes të tjerash në raport.