Cristiano Ronaldo: “Ndihem i tradhtuar” nga Manchester United

Cristiano Ronaldo ka thënë se “ndihet i tradhtuar” nga Manchester United dhe pretendoi se trajneri i klubit Erik ten Hag është përpjekur ta largojë nga skuadra.

“U ndjeva i tradhtuar dhe ndjeva sikur disa njerëz nuk më duan këtu, jo vetëm këtë vit por edhe vitin e kaluar”, tha Ronaldo në një intervistë për TalkTV të Britanisë së Madhe.

“Nuk e di se çfarë po ndodh. Që nga largimi i Sir Alex Ferguson nuk kam parë asnjë evolucion në klub. Progresi ishte zero”, shtoi ai.

Futbollisti portugez tha se nuk e respekton trajnerin Ten Hag, duke thënë: “Unë nuk kam respekt për të sepse ai nuk tregon respekt për mua. Nëse nuk keni respekt për mua, unë nuk do të kem kurrë respekt për ty”.

Superylli 37-vjeçar kritikoi gjithashtu ish-shefin e përkohshëm Ralf Rangnick.

“Për shembull, është interesante se si një klub si Manchester United shkarkoi Olen, sollën si drejtor sportiv Ralf Rangnick, gjë që askush nuk e kupton”, tha ai.

“Ky djalosh nuk është as trajner. Një klub i madh si Manchester United që sjell një drejtor sportiv më befasoi jo vetëm mua, por gjithë botën”, shtoi Ronaldo.

Ai u hoq nga skuadra e Djajve të Kuq për ndeshjen e Premier Ligës kundër Chelsea-t në javën e 13-të pasi Ten Hag e ndëshkoi atë për largimin nga Old Trafford më herët gjatë ndeshjes së Tottenham Hotspur në javën e 12-të të ndeshjes.

Ylli portugez u rikthye më vonë në stërvitje me ekipin e parë.