Çmendet moti/ Stuhi dhe reshje të dendura në të gjithë vendin! Raportohen dëme

Shqipëria është prekur këtë mesditë nga stuhia që ka përfshirë Europën dhe që në vendin fqinj Itali ka shkaktuar dëme të mëdha.

Si pasojë e reshjeve të dendura, është bllokuar qarkullimi në disa akse rrugore, ndërkohë që uji ka hyrë në disa banesa dhe biznese.

Sinoptikani Elvi Jahaj, në lidhje direkte për edicionin e lajmeve, shpjegoi se vendi ynë do të preket nga periferia e kësaj stuhie të fortë, e cila ka përfshirë pjesë më të madhe të Europës.

Si rrjedhojë, në orët në vijim, do të ketë mot të vranët, me vranësira të dendura dhe reshje shiu me intensitet mesatar e herë pas herë të larta. Reshjet me intensitet të lartë do të përfshijnë Ultësirën Perëndimore dhe vijën bregdetare.

Këto reshje do të vijojnë deri të shtunën në mesditë. Më pas, do të ketë një ndërprerje të reshjeve deri të dielën pasdite, kur do të rikthehen reshjet e shiut me intensitet të ulët deri në mesatar.

Për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj, është pezulluar lundrimi i mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit.

Sipas njoftimit, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve.