Çfarë është Sky Shield sistemi i ri i mbrojtjes ajrore për Europën?!

Sulmi i Rusisë kundër Ukrainës ka kthyer luftën në Europë, dhe ka hedhur dritë mbi aftësitë mbrojtëse të NATO-s dhe Europës. Tani është duke u bërë armatosja, janë duke u përgatitur strategji të reja mbrojtjeje. Këtu bën pjesë mbrojtja nga sulmet e mundshme të raketave ruse, nëse lufta në Ukrainë përshkallëzohet dhe arrin tek një konfrontim me Moskën.

Por mburoja mbrojtëse e NATO-s për Europën ka të çara që pritet të mbyllen nga sistemi i mbrojtjes ajrore, European Sky Shield Initiative, ESSI, propozuar nga Gjermania më tetor 2022. 15 vende nënshkruan në atë kohë një deklaratë të përbashkët në kuadër të takimit të NATO-s në Bruksel, për të krijuar një mbrojtje europiane nga ajri. Krah Gjermanisë, nënshkruan Belgjika, Bullgaria, Estonia, Finlanda, Britania e Madhe, Letonia, Lituania, Holanda, Norvegjia, Rumania, si dhe Sllovakia, Sllovenia, Çekia dhe Hungaria. Më vonë nismës iu bashkuan edhe Danimarka, Suedia, Austria dhe Zvicra.

Kancelari gjerman Olaf Scholz (SPD) foli për “fitore të sigurisë për gjithë Europën dhe argumentoi se mbrojtja ajrore europiane është me kosto më të ulët dhe me aftësi më të mëdha, se sa çdo shtet të ngrejë mbrojtjen vet, që kushton shumë dhe është komplekse. Franca, Italia dhe Polonia nuk marrin pjesë në këtë nismë. Parisi kritikoi duke thënë se ky nuk është një projekt i pastër europian, sepse pritet të blihet teknologji nga Izraeli dhe SHBA.

Synimi i Sky Shield është të krijojë sisteme mbrojtëse sa më të koordinuara, me rreze të shkurtër, të mesme dhe të gjatë për të shmangur çdo lloj rreziku që mund të vijë nga ajri. Ministria gjermane e Mbrojtjes, përcakton në faqen e saj të internetit, si rreze të shkurtër një distancë prej 15 kilometrash dhe një lartësi maksimale prej 6 kilometrash. Rrezja e mesme, sipas saj, është 15 deri 50 kilometra larg dhe deri 25 kilometra lartësi; rrezja e madhe është më shumë se 50 kilometra larg dhe deri 35 kilometra lartësi.

Vendet që marrin pjesë në nismën European Sky Shield duan të krijojë së bashku sistemet e duhura të mbrojtjes, në mënyrë që së bashku të mbulojnë sa më shumë territor me kosto sa më të ulët. Për këtë tregohet kujdes për të parë çfarë nevojash ka cili vend. Anëtarët e ESSI kanë rënë dakord që të mbështesin njëri tjetrin me sisteme armësh dhe municionin përkatës. Nëpërmjet krijimit dhe mbarëvajtjes së përbashkët, duhen ulur kostot e blerjes dhe mbajtjes në përdorim. Në Gjermani kjo pasuri qindra miliardë euroshe e financuar nga borxhet, ka krijuar mundësinë e investimeve për Bundeswehrin në ngritjen e një sistemi modern të mbrojtjes ajrore. DW