Çfarë është Hantavirusi dhe si përhapet?

Kur bota po përpiqet të gjejë një kurë për pandeminë e frikshme të koronavirusit, Kina ka shënuar vdekjen e parë nga hantavirusi...

Kur bota po përpiqet të gjejë një kurë për pandeminë e frikshme të koronavirusit, Kina ka shënuar vdekjen e parë nga hantavirusi.

Një burrë kinez vdiq për shkak të hantavirusit, njoftuan mediat kineze, duke përhapur panik në një kohë kur bota po lufton pandeminë e koronavirusit. Sidoqoftë, hantanvirusi nuk është një virus i ri dhe ka infektuar njerëzit për dekada të tëra, shkruan IndiaToday.

Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve thotë se virusi përhapet kryesisht nga brejtësit.

Sipas tyre, “Hantaviruset në Amerikë njihen si ‘Bota e Re’ dhe mund të shkaktojnë sindromën pulmonare hantavirus (HPS). Hantaviruset e tjera, të njohura si ‘Bota e Vjetër’, gjenden kryesisht në Evropë dhe Azi dhe mund të shkaktojnë ethe hemorragjike me sindromën renale (HFRS)”, thuhet në faqen e internetit të CDC.

Numri i përgjithshëm i atyre që janë infektuar nga koronavirusi globalisht është afër 400,000 dhe shkencëtarët ende nuk kanë gjetur një kurë për të. Numri global i vdekjeve ka kaluar shifrën 16.500,transmeton Gazeta Sinjali.

Por cilat janë simptomat e këtij virusi?

Një person me sindromën pulmonare hantavirus mund të pësojë lodhje, ethe dhe dhimbje të muskujve, veçanërisht te kofshët, vithet, shpina dhe ndonjëherë supet.

Gjithashtu mund të ndodh të kenë dhimbje koke, të dridhura dhe të kenë marrjemendësh. Njëkohësisht mund të kenë të vjella, diarre dhe dhimbje barku.

Më vonë mund të shfaqen edhe simptoma të tjera si presioni i ulët i gjakut, problem me veshkat, të cilat mund të shkaktojnë mbingarkesë të madhe të lëngjeve.

Shërimi i plotë mund të zgjasë me javë ose muaj. Vdekja ndodh në më pak se 1% e deri në 15% të pacientëve, ka treguar CDC.

Trajtimi i hantavirus:

CDC thotë se nuk ka ndonjë trajtim specifik, kurë apo vaksinë për këtë virus. Por nëse të infektuarit e kuptojnë herët se janë prekur nga hantavirus, u ofrohet kujdes mjekësor në një njësi të kujdesit intensive.

Në kujdesin intensiv, pacientët intubohen dhe u jepet terapi me oksigjen për t’i ndihmuar ata nëse kanë probleme me frymëmarrjen.