Çavuşoğlu: Zgjidhja ushtarake në Idlib do të ishte katastrofë

"Për ne, të gjitha organizatat terroriste janë të njëjta. Duhen luftuar të gjitha. Nga ana tjetër, një zgjidhje ushtarake këtu do të ishte katastrofë, jo vetëm për rajonin e Idlibit, por edhe për të ardhmen e Sirisë", tha Çavuşoğlu

Turqia dhe Rusia duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku për të vazhduar armëpushimin në Siri, tha ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu, duke paralajmëruar se një zgjidhje e mundshme ushtarake në qytetin veriperëndimor sirian të Idlibit do të ishte një katastrofë, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu këto komente i bëri në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun rus Sergey Lavrov pas një takimi në Moskë, ku shefi i diplomacisë turke gjendet për vizitë zyrtare.

“Ruajtja e zonës së deeskalimit në Idlib është e rëndësishme si në aspektin humanitar, ashtu edhe në luftën kundër terrorizmit”, tha Çavuşoğlu.

Ministri turk tha se në Idlib jetojnë mbi tre milionë civilë, duke shtuar duhet bërë diferencim midis terroristëve dhe civilëve.

“Për ne, të gjitha organizatat terroriste janë të njëjta. Duhen luftuar të gjitha. Nga ana tjetër, një zgjidhje ushtarake këtu do të ishte katastrofë, jo vetëm për rajonin e Idlibit, por edhe për të ardhmen e Sirisë”, shtoi Çavuşoğlu.

Idlibi, i cili gjendet pranë kufirit turk, në muajin maj u caktua si “zonë e deeskalimit”, ku aktet e agresionit janë qartazi të ndaluara.

Rusia dhe Turqia do të krijojnë mekanizëm të përbashkët për regjim pa viza

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, tha se Rusia dhe Turqia kanë rënë dakord të krijojnë mekanizëm të përbashkët për të lehtësuar regjimin e vizave për shtetasit turq.

Ai duke tërhequr vëmendjen se marrëdhëniet me Turqinë vazhdojnë të zhvillohen me shpejtësi tha se, “Kemi rënë dakord në heqjen e pengesave në tregtinë bilaterale. Vizitat e turistëve rusë drejt Turqisë gjithashtu vazhdojnë duke u rritur. Këtë vit pritet që mbi 5 milionë turistë rusë ta vizitojnë Turqinë”.

Lavrov më tej duke theksuar se Ankaraja është një ndër partnerët kyç të tregtisë të Moskës, tha se vazhdon bashkëpunimi intensiv në projektet e rëndësishme si Rrjedha Turke dhe Centrali Bërthamorë Akkuyu.

Në takim ishte në plan të parë çështja e Sirisë, tha Lavrov duke pretenduar se në Idlib përveç civilëve gjenden edhe opozitarët ushtarak.

“Mundohen që të marrin nën kontroll këtë rajon. Në lidhje me këtë edhe ministrat rus dhe turk të mbrojtjes zhvilluan një takim. Gjithashtu edhe njësitë e inteligjencës janë në kontakt. Rusia dhe Turqia do të japin përpjekje të përbashkët që refugjatët sirianë të kthehen në shtëpitë e tyre”, tha Lavrov.

“Kemi rënë dakord që të krijojmë mekanizëm të përbashkët për të lehtësuar regjimin e vizave për shtetasit turq.” tha kryediplomati rus në lidhje me pyetjen e gazetarit të AA-së.