Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se “po vijnë të dhëna se YPG-ja po liron pjesëtarët e DEASH-it në këmbim të parave”, raporton Anadolu Agency (AA).
“Po vijnë të dhëna se YPG-ja duke paraqitur si arsye edhe operacionin ‘Burimi i Paqes‘ po liron pjesëtarët e DEASH-it në këmbim të parave. Po i ndjekim dhe po i shqyrtojmë këto. Nga organizata terroriste nuk mund të pritet gjë tjetër”, tha Çavuşoğlu në një konferencë për media në Ankara me homologen nga Guinea-Bissau, Suzi Carla Barbosa.
Lidhur me operacionin “Burimi i Paqes”, Çavuşoğlu tha se Turqia do t’i pastrojë terroristët nëse ata nuk tërhiqen nga rajoni i operacionit.
“Nëse nuk largohen, do t’i pastrojmë ne. Në këtë këndvështrim, fakti që kemi bërë pauzë në operacionin ‘Burimi i Paqes’ nuk do të thotë se nuk do t’u bëjmë asgjë terroristëve që qëndrojnë këtu. Aktualisht ne ndodhemi në terren. Ushtarët tanë janë atje dhe nuk ka tërheqje”, theksoi Çavuşoğlu.
Në pyetjen se çfarë kontributi ka ofruar Turqia në operacionin e SHBA-ve ku u neutralizua kreu i organizatës terroriste DEASH, Abu Bakr al-Baghdadi, Çavuşoğlu tha se, “Turqia deri më sot ka luftuar me të gjitha organizatat terroriste në terren. Turqia ka luftuar ballë për ballë edhe me DEASH-in. Turqia ka neutralizuar mbi 4.000 pjesëtarë të DEASH-it dhe do ta vazhdojë edhe pas kësaj luftën kundër DEASH-it”.
Çavuşoğlu tha se presidenti amerikan Donald Trump lidhur me këtë çështje ka dhënë deklaratat e nevojshme.
“Edhe Ministria jonë e Mbrojtjes para deklaratës së Trumpit dha deklaratë lidhur me bashkëpunimin në këtë çështje. Turqia ka vepruar këtu në kuadër të qasjes tonë në luftën kundër terrorizmit dhe në kuadër të frymës së Aleancës dhe bashkëpunimit strategjik. Ka patur informime dhe shkëmbime të ideve më përpara. Lidhur me çështjen deklarata të nevojshme ka dhënë edhe Ministria jonë e Mbrojtjes dhe shërbimeve inteligjente. Për këtë arsye edhe Trump ka shprehur falënderime ndaj Turqisë”, tha ministri Çavuşoğlu.