Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, pas takimit me homologen e tij suedeze, Ann Linde, ka deklaruar se Turqia është e gatshme të përmbushë çdo kriter për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) nëse blloku evropian dëshiron të negociojë me ndershmëri me Turqinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në konferencën e përbashkët për media me kryediplomaten suedeze, Çavuşoğlu theksoi vendosmërinë e Turqisë ndaj anëtarësimit, megjithatë siç tha ai, sot BE-ja duhet të marrë vendime serioze për shumë çështje, përfshirë çështjen e zgjerimit.
Kryediplomatët e dy vendeve po ashtu vlerësuan çështjet rajonale, siç njoftoi Çavuşoğlu, përfshirë Malësinë e Karabakut dhe Sirinë, si dhe marrëdhëniet dypalëshe.
“Ne presim më shumë mbështetje dhe bashkëpunim konkret nga Suedia në luftën kundër terrorizmit”, tha Çavuşoğlu, duke iu referuar veprimtarive të grupeve terroristeve PKK dhe FETO në Suedi.
Siç tha kryediplomati turk, shumë anëtarë të FETO-s aplikuan për azil në Suedi dhe se “fatkeqësisht ata u pranuan”.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i kërkojë Armenisë të tërhiqet nga territoret e Azerbajxhanit”
Në konferencën për media, kryediplomati turk foli edhe për problemin e Armenisë dhe Azerbajxhanit, duke theksuar se thirrja e komunitetit ndërkombëtar ndaj Armenisë për zgjidhjen e problemeve duhet të jetë “tërhiqu nga territoret e Azerbajxhanit”.
“Thirrjen e komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e vërtet të këtij problemi mund ta shohim nëse Armenisë përveç thirrjes për armëpushim i bëhet edhe thirrja ‘tërhiqu nga territoret e Azerbajxhanit‘, nëse i rikujtohen vendimet e KS-OKB-së dhe të OSBE-së për të cilën Suedia do të marrë presidencën e radhës”, tha Çavuşoğlu, duke përmendur vendimet e KS-OKB-së dhe OSBE-së lidhur me Malësinë e Karabakut.
Më tej, Çavuşoğlu theksoi se kjo thirrje nuk është bërë dhe tregoi qëndrimin ku komuniteti ndëkrombëtar u bllokua përballë Ukrainës dhe Gjeorgjisë.
“Në krye të misionit të OSBE-së në Ukrainë kemi një ambasador, Halit Çevik. Kemi gjetur mundësinë të vlerësojmë edhe situatën në Ukrainë, në të njëjtën mënyrë misione të OSBE-së ka edhe në Gjeorgji. Tani kur bëhet fjalë për Krimenë dhe territoret e Ukrainës apo territoret e Gjeorgjisë, çfarë shprehim të gjithë ne, përfshirë edhe OSBE… shprehim tërheqjen e Rusisë ose elementëve të tjerë atje. Shprehim se këto janë territore të Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Përse nuk bëjmë të njëjtën thirrje kur bëhet fjalë për Karabakun”, tha kryediplomati Çavuşoğlu.