Çavuşoğlu takohet me raportuesen e OKB-së për rastin Khashoggi

Raportuesja speciale për ekzekutimet jashtëgjyqësore Callamard dhe ekspertët në delegacionin e saj pritet të takohen me ministrin e Drejtësisë së Turqisë Abdulhamit Gül dhe kryeprokurorin e Stambollit Irfan Fidan

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu u takua me raportuesen speciale të OKB-së Agnes Callamard, e cila mbërriti në Turqi në kuadër të hetimit për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, raporton Anadolu Agency (AA).

Raportuesja speciale për ekzekutimet jashtëgjyqësore dhe ekspertët që përbëjnë delegacionin e saj duhet të takohet gjithashtu edhe me ministrin turk të Drejtësisë Abdulhamit Gül dhe kryeprokurorin e Stambollit Irfan Fidan.

Komisariati i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka njoftuar më parë se Callamard do të qëndrojë në Turqi për hetimet ndërkombëtare për vrasjen e Khashoggit në Turqi nga 28 janari deri më 2 shkurt.

Callamard do të paraqesë informacionet dhe rekomandimet lidhur me hetimin në formën e një raporti në seancën e Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Jamal Khashoggi, gazetar dhe kolumnist i “The Washington Post”, u vra më 2 tetor 2018 në Konsullatën Saudite në Stamboll.

Prokuroria turke konstatoi se ai u mbyt brutalisht pasi hyri në konsullatë dhe se trupi i tij u copëtua dhe u shkatërruar.

Autoritetet e Arabisë Saudite më vonë pranuan se Khashoggi u vra pa u larguar nga konsullata, siç pretendonte fillimisht.

Autoritetet në Arabinë Saudite kanë ngritur akuza kundër 11 të dyshuarve për vrasje ndërsa Prokuroria ka kërkuar dënime me vdekje për 5 të akuzuarit e parë.

Megjithëse u zbulua se kur, ku dhe si u vra Khashoggi, ende nuk dihet se ku janë mbetjet e tij.